Ndërlidhjet

WSJ: Paniku bërthamor i Gjermanisë


Angela Merkel
Angela Merkel
"Wall Street Journal"

Një tërmet i madh dhe një cunami masiv shkatërroi Japoninë veriore në mars, ndërsa efektet u ndjenë dy muaj më vonë në...Gjermani?!

Evropa Qendrore nuk është zakonisht vend i lëvizjeve të mëdha tektonike, por kjo nuk e ka ndaluar qeverinë e qendrës së djathtë të Gjermanisë që të hënën të bënte të ditur se do të çmontojë çdo central bërthamor në 14 vjetët e ardhshëm.

Plani i kancelares Angela Merkel për t’i mbyllur të gjitha centralet bërthamore në vitin 2022, është një ndryshim nga mbështetja e saj e mëhershme për centralet bërthamore dhe një ndryshim nga vendimi parlamentar i vitit të kaluar që t’i mbajë centralet e hapura deri në vitin 2036.

Shpjegimi i vetëm që ajo dha ishte se vendit i duhet “një rrugë e re” dhe se dëshiron që “energjia elektrike në të ardhmen të jetë e sigurt dhe ekonomikisht e qëndrueshme”. Një mënyrë kurioze kjo për t’i arritur këto qëllime.

Centralet bërthamore ofrojnë rreth një të katërtën e energjisë elektrike të Gjermanisë. Mbyllja e tyre në vitet e ardhshme do të rrisë shpenzimet elektrike, ndërsa konsumatorët subvencionojnë zëvendësimet e energjisë së “ripërtërishme“.

Kjo lëvizje do të rrezikojë më shumë se 30 mijë vende pune dhe do ta bëjë ekonominë më të madhe evropiane të varur nga shtetet fqinje me centrale bërthamore, si Franca dhe Republika e Çekisë.

Rusia, me burimet e saj të pafundme të gazit natyror, gjithashtu mund të përfitojë, por nëse sjellja e kaluar është ndonjë indikator, Moska nuk është “e besueshme”.

Konsumatorët gjermanë tashmë kanë shijen e asaj që i pret. Qeveria po i subvencionon kompanitë shërbyese që prodhojnë energjinë e ripërtërishme me një shumë prej miliarda eurosh në vit. Këto kompani, pastaj, ua kalojnë shpenzimet konsumatorëve, të cilët paguajnë fatura më të larta për rrymën, sesa, të themi, amerikanët.

Rregullatori qeveritar, që mbikëqyr kompanitë shërbyese, paralajmëroi të premten e kaluar se mbyllja e shtatë centraleve bërthamore në këtë vit, e shndërron Gjermaninë në importues të herëpashershëm dhe i “sjell rrjetet buzë kufirit të kapaciteteve të tyre”.

Perspektiva që energjia solare dhe ajo e erës të mbushë hendekun, është e zbehtë.

Teknologjitë e ripërtërishme nuk mund të qëndrojnë vetë ekonomikisht, çfarë është edhe arsyeja pse Berlini në mënyrë artificiale i mbështet dhe ato janë subjekt i kapriçove të motit.

Gjermania Veriore është vendi më praktik për të vendosur mullinjtë e erës, por shumica e fabrikave janë në jug. Kështu që tash, Berlini duhet të ndërtojë linja të distancave të gjata të transmetimit të energjisë përmes shtetit.

Kancelarja mund të llogarisë se nëse lëviz kah e majta, mund t’i vjedhë votat e social-demokratëve apo të të gjelbërve.

Kjo strategji nuk ka funksionuar në fillim të këtij viti, kur ajo e braktisi mbështetjen e saj për centralet bërthamore dhe, megjithatë, sërish i pa partnerët e saj politikë të goditen në Baden-Württemberg.

Në vend të rritjes së popullaritetit, ekonomia e drejtë, bazuar në mot, e Merkelit, vetëm sa ka ushqyer panikun në publik në lidhje me centralet bërthamore - ndryshe nga Finlanda, ku vitin e kaluar partia në pushtet aprovoi ndërtimin e dy centraleve të reja, me qëllim që të ulë varësinë e shtetit nga furnizuesit e jashtëm të energjisë.

Ironia qëndron aty se zonja Merkel, që është fizikane, është një nga figurat e pakta politike që mund të shpjegojë në mënyrë të besueshme se burimet e energjisë e kanë rrezikun dhe koston e tyre, ndërsa centralet moderne bërthamore janë shumë më të sigurta sesa ato në Fukushimë.

Në vend të kësaj, ajo ka zgjedhur t’ia kënaqë dëshirat krahut të majtë të koalicionit të saj dhe të lëvizjes së gjelbër të vendit, e cila ishte kapluar nga histeria pas aksidentit të “Three Mile Island” të vitit 1979 në Pensilvani dhe katastrofës së Çernobilit në vitin 1986.

Nuk është habi që aktivistët e Greenpeace të ndjehen të inkurajuar për të hipur në maje të Portës së Brandenburgut të dielën dhe të kërkojnë fundin e fuqisë bërthamore. Zonja Merkel i vuri shkallët retorike për ta. (a.i.)
XS
SM
MD
LG