Ndërlidhjet

BE kritikon ndalesën ruse për perimet evropiane


Komisioni Evropian ka kritikuar si “të tepruar”, vendimin e Rusisë që të ndalojë importin e perimeve të freskëta nga vendet e BE-së nga frika e bakteres vdekjeprurëse.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Frederik Vinsent tha se komisioneri për shëndetësi, Xhon Dalli, do t’i shkruajë Moskës brenda orëve një notë proteste.

Rusia ndaloi sot importin e perimeve të freskëta nga të gjitha vendet e BE-së, pas shpërthimit vdekjeprurës të bakteries E.Coli.

“Autoritetet shëndetësore evropiane nuk ia dolën që të zgjidhin situatën. Kjo tregon se ata nuk janë të zotë dhe iu mungojnë mekanizmat për të hulumtuar këtë fenomen”, tha kreu i Agjencisë ruse për Mbrojtjen e Konsumatorëve, Genadi Onishçenko.

Ndërkohë, hetuesit evropianë të sigurisë së ushqimit ende po mundohen të përcaktojnë shtrirjen dhe burimin e shpërthimit bakterial, i cili fajësohet për vdekjen e 17 personave dhe sëmundjen e më shumë se 1000 të tjerëve, kryesisht në Gjermani.

Autoritetet gjermane, fillimisht kishin thënë se trangujt e importuar nga Spanja ishin burim i bakteries vdekjeprurëse, por më vonë, Gjermania tha se testet tjera treguan se këta tranguj të veçantë nuk shkaktuan epideminë.
XS
SM
MD
LG