Ndërlidhjet

Steven Korn, veterani i CNN, emërohet drejtor i REL


Bordi i Guvernatorëve për Transmetim ka informuar se Steven Korn është emëruar drejtori i ri i Radios Evropa e Lirë në Pragë, që emeton program për 21 shtete, ndër të cilat edhe për Iranin, Afganistanin, Pakistanin Rusinë dhe Kosovën.

“Jam tejet i ngazëllyer për mundësinë që të përkrah misionin e rëndësishëm të Radios Evropa e Lirë”, ka thënë Korn, i cili do të nisë detyrën e re më 11 korrik.

Ndërkaq, udhëheqësi i Bordit të Guvernatorëve për Transmetim, Ualter Ajzakson, ka thënë se “Transmetuesit Ndërkombëtarë të SHBA-ve po përballen me shumë sfida të rënda, jo vetëm nga rritja e garës dhe buxhetit të shkurtuar, por dhe nga një shtypje e re e sofistikuar në median e lirë në shumë shtete të botës”.

Steven Korn ka shërbyer si zëvendësshef i Operativës në rrjetin televiziv amerikan, CNN, nga viti 1996–2000, ndërsa ka shërbyer edhe si pjesë e bordit mbikëqyrës të televizionit gjerman, n-tv dhe në bordin e CNN Plus, një rrjet i televizionit të lajmeve në gjuhën spanjolle me bazë në Madrid.

Korn pason Xhefri Gedminin, që dha dorëheqje në muajin mars, pasi shërbeu në postin e presidentit të Radios Evropa e Lirë, për katër vjet.
XS
SM
MD
LG