Ndërlidhjet

Obama takohet me princin e Bahreinit


Presidenti amerikan, Barak Obama, është takuar me princin e Bahreinit në Shtëpinë e Bardhë, ku e ka mirëpritur vendimin e mbretërisë së gjirit që të heqë ligjin e emergjencës që u miratua pas nisjes së konfliktit me shumicën Shiite në këtë vend.

Përmes një deklarate të shkruar, Shtëpia e Bardhë ka lajmëruar se Obama i ka thënë Princit Sheik Salman bin Hamad al Kalifa, të martën se stabiliteti i Bahreinit varet nga respektimi i të drejtave universale të qytetarëve të këtij shteti, duke përfshirë edhe lirinë e të shprehurit dhe demonstratat paqësore.

Deklarata thotë se Obama ka kërkuar që ata që janë përgjegjës për abuzimin e të drejtave të njeriut gjatë trazirave të fundit në këtë shtet duhet të mbajnë përgjegjësi.

Obama gjithashtu e ka ri-afirmuar atë që komunikata e ka përshkruar si “përkushtim të fuqishëm” të SHBA-ve, për Bahreinin, ku është e vendosur edhe një bazë detare e Flotës së Pestë amerikane.

Autoritetet e Bahreinit e vendosën ligjin e emergjencës në mes të muajit mars, duke i dhënë ushtrisë pushtet të gjerë që të shtyp demonstratat e udhëhequra nga shumica Shiite kundër pushtetarëve që janë nga pakica sunite.

Bahrain i ka bërë ftesë 1500 forcave të udhëhequra nga Arabia Sauditeqë të shtyp protestat dhe se këto vazhdojnë të qëndrojnë në Bahrein.
XS
SM
MD
LG