Ndërlidhjet

Zotohen 500 milionë $ për kryengritësit libianë


Kryengritësit libianë kanë marrë zotime për ndihmë prej më shumë se 500 milionë dollarëve, ndërsa vendet e Perëndimit dhe ato arabe janë takuar në Abu Dabi për t’u fokusuar në planet për Libinë e pas Gadafit.

Grupi i Kontaktit për Libinë i ka bërë bashkë sekretaren amerikane të shtetit, Hillari Klinton dhe përfaqësuesit nga Franca dhe Britania si dhe aleatët arabë, përfshirë Katarin, Kuvajtin dhe Jordaninë.

Ministri i jashtëm i Italisë, Franco Fratini duke folur në margjinat e takimit, tha se Italia do t’u japë kryengritësve 400 milionë euro.

Ministri për Financa dhe Naftë i qeverisë paralele, Ali Tarhuni, tha se udhëheqja me bazë në Bengazi shpreson që “së shpejti”, të rifillojë prodhimin e100 mijë fuçive naftë në ditë, por pa saktësuar afatin kohor.

Takimi pason bombardimet e rënda të NATO-s gjatë kësaj jave në Tripoli, të cilat kanë për qëllim që të dobësojnë regjimin e Gadafit dhe t’ia bëjnë të pamundur forcave të tij që të sulmojnë civilët.

Në Kombet e Bashkuara, ndërkohë, një prokuror i Gjykatës Ndërkombëtare për Krime, tha se hetuesit kanë gjetur prova të lidhjes së politikës së Gadafit me dhunimin e opozitarëve.
XS
SM
MD
LG