Ndërlidhjet

Kameron: Gadafit po i ikën koha


NATO ka kryer një seri sulmesh sot herët në mëngjes siç duket, me cak një zonë në afërsi të liderit libian, Muamer Gadafi, në kryeqytetin e këtij vendi, Tripoli.

Nuk ka qenë menjëherë e qartë çfarë saktësisht është goditur ndërsa ende nuk është raportuar për viktima. Zyrtarët e regjimit të Gadafit nuk kanë pranuar ende të komentojnë këto sulme.

Më herët, Britania dhe NATO kanë bërë thirrje për të vazhduar me presionin ushtarak për ta hequr nga pushteti, Gadafin. Pasi u takua në Londër me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, kryeministri britanik, Dejvid Kameron, ka thënë se Gadafit “po i kalon koha” që të mbes në pushtet.

“Presioni po rritet ushtarakisht, në aspektin diplomatik, politik dhe ekonomik ndaj Gadafit. Atij po i ikën koha, po i largohen miqtë, ministrat e tij po i largohen, ministri i tij i naftës është larguar, ministri i tij i jashtëm është larguar, presioni po rritet. Unë dua që ne ta mbajmë këtë presion dhe se besoj që ne do t’i mundësojmë popullit të Libisë që të zgjedh vet të ardhmen e tij”, tha kryeministri britanik, Kameron.

Ndërkohë në OKB, ministri i jashtëm i Mauritanisë, Hamadi Uld Hamadi, duke folur në emër të Unionit Afrikan, ka bërë thirrje për një “pauzë humanitare” të konfliktit që të krijoj mundësinë që ndihmat të arrijnë te civilët.

Ministri Hamadi, duke folur në Këshillin e Sigurimit të NATO-s, ka bërë thirrje për një armëpushim që do të lidhej me negociata politike për arritjen e një marrëveshjeje në mes të regjimit të Gadafit dhe rebelëve që po përkrahen nga NATO për t’i dhënë fund regjimit të Gadafit.
XS
SM
MD
LG