Ndërlidhjet

WP:Çlirimi nga sundimi i Putinit


Vladimir Putin - kryeministër i Rusisë
Vladimir Putin - kryeministër i Rusisë
“Washington Post”

Ndërsa diktatorët po bien në Lindjen e Mesme dhe madje edhe liderët e Kinës po i kap paniku kur po dëgjojnë fjalën “Jasminë”, shtrohet pyetja: a është regjimi i Vladimir Putinit imun nga kjo valë e presioneve demokratike?

Është një bast i sigurt se njerëzit në rrethin e brendshëm të Putinit, po e mendojnë të njëjtën gjë.

Vetëm 43 për qind e rusëve të anketuar thonë se ata do të votonin për partinë e Putinit, Rusia e Bashkuar, në zgjedhjet parlamentare të dhjetorit, rënie nga 56 për qind sa ishte në vitin 2009.

Njerëzit janë të zemëruar për korrupsionin e shfrenuar në nivelet më të larta dhe për vrasjet e pazgjidhura të gazetarëve dhe të tjerëve që hetuan shumë thellë.

Një grup joqeveritar, i afërt me Rusinë e Bashkuar argumenton se qeveria po vuan nga “kriza e legjitimitetit”.

Putin mund të përgjigjet duke ofruar disa hapje për të pakënaqurit, duke lejuar më shumë hapësirë për një opozitë politike që ai ka shtrydhur pothuajse deri në harresë.

Një parti e re politike e udhëhequr nga figura të respektuara ruse si Boris Nemcov, Mihajl Kasjanov, Vlladimir Milov dhe Vlladimir Rizhkov ka aplikuar muajin e kaluar për të marrë pjesë në zgjedhjet e dhjetorit.

Po që se Putini është i mençur, ai do t’i lë ata që të garojnë.
Ata nuk mund të fitojnë, të paktën në këtë kohë, kundër aparatit qeveritar.

Por, regjimi i Putinit, mund të pretendojë legjimitet më të madh nëse ia jep shansin një opozite të mirëfilltë liberale që të garojë.

Por, Putini dhe këshilltarët e tij, mund të mos jenë të zgjuar. Ata mund të jenë të frikësuar.

Ata mund të vendosin që të përdorin masa të ashpra, të nxisin nacionalizmin anti-perëndimor dhe të presin stuhinë. Sikur strategjia e vitit të kaluar e Hosni Mubaraakut.

Dhe çfarë do të bëjë presidenti Obama?

Deri tash, politika e tij “e re” kishte në shënjestër politikën e jashtme ruse- për të marrë mbështetje mbi Iranin, Afganistanin, nënshkrimin e marrëveshjeve për kontrollin e armëve, dhe përpjekjet për një marrëveshje për mbrojtjen raketore.

Ajo nuk është fokusuar në politikat në rritje autoritare brenda Rusisë.

Zyrtarët shpresojnë se presidenti i reformuar dhe pro-perëndimor, Dimitrij Medvedev, do të fitojë luftën për pushtet, në të cilën, edhe ata e pranojnë, se ai nuk ka pushtet.

Kjo është një nga arsyet pse Obama dëshiron që Rusia t’i bashkohet Organizatës Botërore të Tregtisë- për të forcuar Medvedevin në çështjen e “modernizimit”.

E tërë kjo mund të hidhet në erë, po që se Putini e mënjanon Medevedevin dhe garon përsëri për president.

Nëse Putini fiton, ai do të mund të ketë dy mandate të njëpasnjëshme legjitime gjashtëvjeçare, duke e bërë atë president deri në vitin 2024- plot një çerek shekulli, që kur erdhi në pushtet në vitin 1999.

A mund SHBA që kaq lehtë të bëjë biznes me një shtet të korruptuar, autoritar dhe mafioz, të udhëhequr nga një president i përjetshëm, i cili i shtrydh disidentët?
Disa në administratë nuk e besojnë këtë.

Ata dyshojnë se investitorët e huaj do të dynden ndonjëherë në një Rusi të korruptuar dhe të rrezikshme, dhe se populli amerikan do të përqafojë një partneritet afatgjatë me një diktaturë të re cariste, sidomos atë me anti-amerikanizmin e reflektuar nga Putini.

Nënpresidenti Bajden tha gjatë vizitës së këtij viti në Moskë se një liri më e madhe, demokracia dhe sundimi i ligjit, janë të “nevojshme” për të pasur “relacione të mira”.

Ai theksoi se modernizimi ekonomik, që liderët rusë pretendojnë se e dëshirojnë, nuk do të jetë i mundur pa liberalizimin politik dhe theksoi nevojën për një “opozitë të qëndrueshme” dhe “partitë politike që kanë mundësi të garojnë”.

Pikëpamje të tilla ka edhe eksperti kryesor për Rusinë i Obamës, Majkëll MekFol, i cili së shpejti do të nominohet si emisar i ardhshëm në Moskë.

Ai tha së fundi se rifillimi duhet të fokusohet shumë në “çështjet e demokracisë dhe të drejtat e njeriut,” po aq sa dhe në sigurnë kombëtare.

Jo të gjithë pajtohen. Disa zyrtarë të lartë, e shohin këtë rifillim si politikën më të suksesshme të presidentit dhe nuk duan ta bezdisin Putinin duke ngre pyetje të papërshtatshme.

Obama gjatë një takimi të mëhershëm me Medvedevin ka folur për OBT-së, në mesin e gjërave tjera, por nuk ka gjetur kohë të thotë asnjë fjalë për zgjedhjet e Rusisë.

Ndërsa administrata debaton, Kongresi po hyn në një vakuum politik. Senatorët Xho Liberman dhe Xhon MekKein së shpejti do të paraqesin një rezolutë e cila i kërkon Rusisë që të regjistrojë partitë politike opozitare, të lejojë lirinë e mediave, të respektojë të drejtën e tubimeve dhe të lejojë vëzhgues ndërkombëtarë dhe vendës në zgjedhjet e ardhshme- si dhe i bën thirrje Obamës që këto çështje t’i shndërrojë në prioritet.

Muajin e kaluar një grup nga të dy partitë i senatorëve, i kryesuar nga demokrati Benxhamin Kardin dhe Libermani, paraqitën një legjislacion që ka për synim të adresojë shënimet për përkeqësimin e të drejtave të njeriut në Rusi.

I emërtuar sipas Sergei Magnitskit, një avokat që ekspozoi një mashtrim të madh tatimor në vend dhe u shpagua me tortura dhe vrasje në burg, legjislacioni do të ngrijë asetet dhe do të refuzojë vizita për zyrtarët rusë që shkelin të drejtat e njeriut.

Bashkësponsorizuesit përfshijnë MeKeinin, Dik Darbinin, Xhin Kaljin dhe yllin në rritje të politikës së jashtme, Marko Rubion.
Legjislacioni do të zëvendësonte amendamentin Xhekson-Vanik, i miratuar në vitet ’70-ta si kundërpërgjigje ndaj refuzimit të Bashkimit Sovjetik, që të lejojë emigrimin e hebrenjve.

Kjo me siguri se do të tërheqë vëmendjen e Moskës.

Në mesin e trazirave në Lindjen e Mesme, situata politike në Rusi, është injoruar. Shumë supozojnë se shanset për ndryshime janë të zbehta.

Por, Rusia, kurrë nuk është stabile, siç duket- edhe kjo e ka shqetësuar turmën që i qëndron pas Putinit.

Si tash e një vit më parë, secili mendonte se edhe Mubaraku i kishte gjërat nën kontroll.(a.i)
XS
SM
MD
LG