Ndërlidhjet

Gjeliq: Deputetët gjermanë nuk kanë kërkuar njohjen e Kosovës


Nënkryetari i qeverisë së Serbisë, Bozhidar Gjeliq, deklaroi sot, se në mbledhjen zyrtare me deputetët gjermanë, nuk është paraqitur qëndrimi se njohja e Kosovës është kusht për anëtarësim të Serbisë në BE.

“Serbia e di se çështjen e Kosovës duhet ta zgjidhim para hyrjes në BE, ndërsa nga ana tjetër, kjo zgjidhje nuk mund të jetë njohja e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës”, u tha Gjeliq, gazetarëve në Beograd.

Sipas tij, “Gjermania në asnjë mënyrë nuk kërkon njohje të Kosovës nga ana e Serbisë”.

Anëtarët e Parlamentit të Gjermanisë, dje në bisedë me gazetarët e Beogardit, kanë thënë se fillimi i negociatave për pranim të Serbisë në BE, nuk do të jetë i rrezikuar, me kërkesën për njohjen e Kosovës, por deri në fund të këtij procesi, Serbia, faktikisht, do të jetë e detyruar ta pranoj pavarësinë e Kosovës, që të bëhet anëtare e BE-së.

“Në fund të negociatave për anëtarësim njohja faktike e Kosovës duhet të jetë në tavolinë, e nëse kjo mungon, Parlamenti gjerman nuk do ta mbështesë anëtarësimin e Serbisë në BE”, thanë deputetët e Bundestagut.
XS
SM
MD
LG