Ndërlidhjet

Qeveria e Kosovës zbulon detaje të marrëveshjeve


Qeveria e Kosovës ka bërë të ditura disa detaje të marrëveshjeve të arritura në raundin e pestë të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Marrëveshja për Lëvizjen e lirë është e bazuar mbi parimet e reciprocitetit të plotë midis dy shteteve, vullnetit të mirë dhe bashkëpunimit të ndërsjellë. Qëllimi i saj kryesor është mundësimi i qarkullimit të lirë të qytetarëve dhe automjeteve nga njëri shtet në tjetrin dhe për në vendet e treta”, thuhet në një komunikatë për media të Qeverisë së Kosovës.

Marrëveshja për njohjen reciproke të diplomave universitare, sipas Qeverisë së Kosovës, është në linjë të plotë me praktikat evropiane dhe marrëveshjeve ndërshtetërore me të cilën mundësohet “njohja reciproke e diplomave universitare midis dy vendeve duke u mundësuar studentëve nga të dyja vendet perspektiva edukimi të mëtejmë dhe punësimi në shtetet përkatëse”.

Ndërkaq, marrëveshja për kthimin e regjistrave civilë, sipas qeverisë, i kontribuon kompletimit të regjistrit civil të Kosovës “përmes të cilit Kosova praktikisht përmbush një prej kritereve për marrjen e liberalizimit të vizave me
Bashkimin Evropian”.

Qeveria vlerëson se “arritjet e shënuara në këtë raund të dialogut teknik ndikojnë në përmirësimin e marrëdhënieve ndërfqinjësore dhe bashkëpunimet rajonale, që janë kritere të Kopenhages për integrim në BE”.

Ndërmjetësi i dialogut teknik z. Robert Cooper thuhet se do t’i bëjë publike përmbajtjet e plota të marrëveshjeve të arritura ditën e hënë më 4 korrik 2011.

“Marrëveshjet do të fillojnë të implementohen menjëherë dhe Bashkimi Evropian përmes mekanizmave të tij do të jetë koordinues, lehtësues dhe monitorues përgjatë zbatimit të tyre”, thuhet në njoftimin e qeverisë.
XS
SM
MD
LG