Ndërlidhjet

Ndërron jetë Oto von Habsburg


Oto von Habsburg, djali më i vjetër i perandorit të fundit të Austro-Hungarisë, dhe njëri nga krerët e njërës nga familjet më me ndikim në Evropë, ka vdekur sot, në moshën 98 vjeçare.

Zëdhënësja Eva Demerle, ka thënë se Habsburg ka vdekur në gjumë, në shtëpinë e tij në Poeking të Gjermanisë.

I lindur më 20 nëntor të vitit 1912, Habsburg ishte dëshmitar i rënies së familjes, pasi që Habsburgët ishin detyruar të emigrojnë pas Luftës së Parë Botërore.
Ai u vendos në Poeking në vitet e ’50-ta dhe vazhdoi për t’u bërë anëtar i Parlamentit Evropian.

Ai ka shërbyer edhe si president i Ligës Pan-Evropiane nga viti 1979-1999.
Në këtë post, ai ndihmoi në organizimin e demonstratës paqësore, Pikniku Pan-Evropian, në kufirin mes Austrisë dhe Hungarisë në vitin 1989.

Kufiri ishte hapur shkurt, në një gjest simbolik, duke krijuar mundësinë për 600 gjermanët lindorë të iknin nga komunizmi disa muaj para rënies së Murit të Berlinit.

Kjo shënoi herën e parë që një shtet i Evropës Lindore hapi kufijtë e tij dhe është parë në masë të gjerë si fillimi i rënies së Perdes së Hekurt.

Gruaja e Habsburgut, Regjina, ka vdekur vitin e kaluar.

Çifti kishte shtatë fëmijë.

Djali më i vjetër i tyre, Karli, tani udhëheq cështjet familjare dhe që nga viti 2007 është zyrtari kryesor i Shtëpisë së Habsburgëve.

Habsburg do të varroset më 16 korrik, në një varr perandorik në Vjenë, nën Kishën Kapuçine.
XS
SM
MD
LG