Ndërlidhjet

Konferenca Islamike bën thirrje për njohjen e Kosovës


Organizata e Konferencës Islamike (OKI), në sesionin e 38 të Këshillit të Ministrave të Jashtëm, të zhvilluar në Astana të Kazakistanit, ka miratuar një Rezolutë për situatën në Kosovë.

OKI-ja në pikën e tetë të Rezolutës, për herë të parë thërret të gjitha shtetet anëtare të Organizatës së Konferencës Islamike që të marrin në konsideratë njohjen e Kosovës, duke u bazuar në të drejtat e tyre të lira dhe sovrane si dhe përputhje me praktikat e tyre kombëtare, bën të ditur Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, përmes një komunikate për media.

Po ashtu, kjo Konferencë, me Rezolutën e aprovuar, njeh plotësisht Opinionin Këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, i publikuar me 22 korrik 2010, në të cilin Gjykata ka konkluduar se Shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur as ligjet e të drejtës ndërkombëtare e as rezolutat relevante.

Në këtë sesion të Konferencës ishte të pranishëm edhe ekipi i Ministrisë së Punëve të Jashtme i udhëhequr nga Beqiri Ismaili, këshilltar i jashtëm i Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj dhe i Ngarkuari me Punë i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Arabisë Saudite, z. Rexhep Boja dhe shënon një hap të rëndësishëm drejt njohjeve që rezulton nga Strategjia për njohje e miratuar nga Qeveria e Kosovës, vijon komunikata.

Në Rezolutë, OKI-ja njeh përparimin e bërë në Kosovë dhe mirëpret anëtarësimin e saj në organizatat botërore.

Organizata e Konferencës Islamike, në rezolutë, mirëpret përpjekjet e vazhdueshme të Unionit Evropian për të avancuar perspektivën evropiane të Kosovës dhe tërë Ballkanit Perëndimor, duke dhënë në këtë mënyrë kontribut vendimtar për stabilitetin dhe prosperitetin në rajon, thuhet ndër tjera në këtë komunikatë.

Organizata e Konferencës Islamike, është organizata e dytë më e madhe ndërqeveritare pas Kombeve të Bashkuara me gjithsej 57 shtete anëtare nga katër kontinente të ndryshme.
XS
SM
MD
LG