Ndërlidhjet

GDN bën thirrje për forcim të shtetit të Kosovës


Grupi Drejtues Ndërkombëtar ka rikonfirmuar mbështetjen e tij të plotë për konsolidimin e Kosovës së pavarur, plotësisht sovrane, demokratike dhe shumetnike brenda kufijve të saj aktual.

Në një komunikatë për media thuhet se GDN-ja e përshëndet progresin e bërë nga Qeveria e Kosovës në zbatimin e Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin.

Grupi vëren se shumica dërmuese e ligjeve që dalin nga Propozimi Gjithpërfshirës tanimë janë miratuar nga Kuvendi”, thuhet në komunkatë.

GDN-ja po ashtu ka shprehur shqetësimin për çështjet e zhvillimit ekonomik dhe disiplinën buxhetore dhe fiskale në Kosovë, dhe e inkurajon qeverinë që të përpiqet për progres në këtë fushë dhe fusha tjera të rëndësishme që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e të gjithë qytetarëve dhe në qëndrueshmërinë e tërë vendit, përfshirë arsimin dhe shëndetësinë, sundimin e ligjit, pajtimin si dhe kujdesin domethënës për komunitetet pakicë.

GDN-ja lavdëron Kosovën për angazhimin e saj të përkushtuar në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe inkurajon Kosovën dhe Serbinë që si fqinjë të pavarur dhe sovran të vazhdojnë kërkimin e marrëveshjes për çështjet e interesit praktik për qytetarët e tyre.

GDN-ja mirëpret Strategjinë e Ministrisë së Punëve të Jashtme për arritjen e njohjes së plotë ndërkombëtare dhe i inkurajon partnerët ndërkombëtarë që ta përkrahin Kosovën në arritjen e këtij qëllimi.

GDN-ja mirëpret njohjet e fundit të pavarësisë së Kosovës, mirëpret mbështetjen që kohëve të fundit i është dhënë nga Organizata e Bashkëpunimit Islamik dhe i inkurajon të gjitha shtetet që ende nuk e kanë njohur Kosovën ta bëjnë një gjë të tillë.

GDN-ja e ka shqyrtuar planin e punës së ICO-së. Ajo e inkurajon qeverinë që ta ndihmojë përfundimin efikas të detyrave duke ofruar resurse të mjaftueshme dhe përkushtim praktik ndaj punës dhe institucioneve, dhe angazhohet për të gjetur fondet e nevojshme për ICO-në deri në fund të mandatit të saj.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar nuk ka lënë pa përmendur edhe hetimet për trafikim organesh ku ka lavdëruar ofertën e Qeverisë së Kosovës për bashkëpunim të plotë me EULEX-in në hetimin e pretendimeve që përmban Raporti i Komisionit për Çështje Ligjore dhe të Drejta të Njeriut i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

GDN-ja përsërit thirrjet e saj për të gjitha organizatat, institucionet dhe individët relevantë që pa vonesë t’i përgjigjen kërkesës së EULEX-it për çfarëdo dëshmie që kanë në lidhje me pretendimet që i përmban Raporti, dhe fton autoritetet kompetente që të marrin masa adekuate për mbrojtjen e dëshmitarëve.

GDN-ja mirëpret zgjedhjen e presidentes Atifete Jahjaga, sikurse ka mirëpritur edhe procesin e mëtejmë të reformës kushtetuese dhe legjislative për të forcuar besueshmërinë dhe legjitimitetin e demokracisë në Kosovë.
XS
SM
MD
LG