Ndërlidhjet

Krasniqi letër EULEX-it për imunitetin


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi i ka drejtuar një letër misionit Evropian për sundimin e ligjit – EULEX, ku i është përgjigjur kërkesës së këtij misioni në lidhje me fillimin e procedurave për heqjen e imunitetit të disa deputetëve ndaj të cilëve po zhvillohen hetime.

Përmes kësaj letrës, Krasniqi i ka thënë shefit të EULEX-it se nuk është përgjegjësi e Kuvendit që të merret me çështjen e imunitetit. Andaj ai i ka sugjeruar EULEX-it që bazuar në Kushtetutën e Kosovës, Qeveria vetë mund të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese interpretim për imunitetin e deputetit.

“Në rastin konkret, do të ishte normale që Qeveria e cila ka shprehur interes për një rezolutë të tillë, ta paraqesë këtë iniciativë në Kuvend dhe Kryesia e Kuvendit do ta trajtojë atë sipas rregullores së Kuvendit”, thuhet letrën e Krasniqit, të cituar nga mediat lokale.

Në këtë letër Krasniqi thekson se nuk ka nevojë të miratohet një rezolutë në Kuvend, kur Qeveria me Kushtetutë i ka të përcaktuara të drejtat e saja në këtë drejtim.

“Është shqetësuese të vërejmë që Qeveria kërkon një akt jodetyrues si rezoluta që të ushtrojë një funksion të saj kushtetues. Nëse do të ishte nevoja e një rezolutë të Kuvendit për ta vënë në lëvizje Qeverinë që kjo e fundit ta vërë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, Kushtetuta do ta kishte përcaktuar një gjë të tillë. Për mendimin tonë, një rezolutë e tillë do të ishte në vetvete një akt antikushtetues, sepse do të shkelte të drejtën e Qeverisë për ta përdorur paragrafin 10 të nenit 93 në lirinë dhe diskrecionin e saj të plotë”, thuhet në letrën e Krasniqit.

Kjo letër ka marrë mbështetjen e Kryesisë së Kuvendit, përveç lëvizjes Vetëvendosje e cila ka vlerësuar se nuk ka nevojë t’i njihet EULEX-it kjo e drejtë që e ka kërkuar.

Ndërkohë, kryeministri, Hashim Thaçi nuk ka dashur ta komentoj kërkesën e EULEX-it lidhur me shqyrtimin e imunitetit të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilët janë nën hetime.

Ai tha se ende në zyrën e tij nuk ka shkuar ndonjë dokument zyrtar për këtë çështje, prandaj nuk dëshiron të komentojë.
XS
SM
MD
LG