Ndërlidhjet

Arestohet në SHBA një grup shqiptarësh


Një gjykatë federale në Bruklin ka bërë publike padinë ndaj 37 personave të cilët ngarkohen me akuza të ndryshme për trafikim dhe shpërndarje të sasive të mëdha të marihuanës dhe kokainës.

Siç raporton Associated Press bëhet fjalë për një grup shqiptarësh në SHBA, Kanada dhe Evropë, të cilët thuhet se për një dekadë kanë orkestruar një skemë të tregtisë së drogës, duke fshehur dërgesat e kokainës në veturat luksoze dhe duke përdorur armë dhe forma tjera të dhunës për të mbrojtur terrenin.

Agjentë dhe oficerë të Administatës kundër Drogës, Imigrimit dhe Doganave, Departamentit të Policisë së Nju Jorkut dhe agjencive tjera kanë arrestuar shumicën e të pandehurve gjatë bastisjeve të zhvilluara në zonën e Nju Jorkut, në Nju Xhersi, Kolorado dhe Floridë.

Autoritetet amerikane thanë se një nga liderët e bandës i quajtur në aktakuzë me emrin, Arif “Ariu” Kurti, tashmë gjendet në burg në Shqipëri nën akuzat për trafikimin e heroinës.

Por, ai thuhet se ka vazhduar të japë urdhëra prapa grilave përmes telefonave të futur brenda burgut.

Dokumentet e gjykatës në Nju Jork, përshkruajtën zinxhirin si një rrjet të “klaneve të ndryshme shqiptare” që kanë shtrirë aktivitetin global në përfitimet e paligjshme dhe kanë përdorur dhunën “për të frikësuar, eliminuar dhe për t’u hakmarrë kundër dëshmitarëve apo agjentëve të zbatimit të ligjit”.

Hetimi katërvjeçar ka zbuluar se rrjeti ka trafikuar dhjëtëra mijëra kilogramë të marihuanës në SHBA nga Meksika dhe Kandaja duke i fshehur ato në kamionët që bartnin ngarkesa legjitime.

Droga ishte fshehur në depot në Bruklin, Kuins dhe Bronks para se të shpërndahej në qytet dhe periferi.

Rrjeti po ashtu ka trafikuar kokainën të fshehur në ndenjëset e veturave luksoze të dërguara nga tregtarët amerikanë në Shqipëri dhe në vendet tjera në Evropë, kanë thënë autoritetet amerikane.
XS
SM
MD
LG