Ndërlidhjet

Ikja e Eikenberit


Ambasadori në largim i Shteteve të Bashkuara në Afganistan, Karl Eikenberi
Ambasadori në largim i Shteteve të Bashkuara në Afganistan, Karl Eikenberi

Rahimullah Samandar


Ambasadori në largim i Shteteve të Bashkuara në Afganistan, Karl Eikenberi, është relativisht njeri i panjohur në botën e diplomacisë. Para se të merrte postin diplomatik, ai kishte një karrierë ushtarake. Eikenberi ka shërbyer në ushtrinë e Shteteve të Bashkuara për më shumë se tre dekada dhe si gjenerallejtënant ishte komandanti më i lartë në Afganistan para se të pensionohej. Në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë, ai ka folur për tranzicionin e kontrollit të sigurisë te forcat afgane, për mosmarrëveshjet e tij shumë të njohura me presidentin Hamid Karzai, si dhe për mbështetjen e Iranit ndaj talibanëve.



RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Eikenberi, çfarë mendoni për situatën e ardhshme në Afganistan, duke parë të tanishmen?

KARL EIKENBERI
Mendoj se plani, për të cilin janë dakorduar Qeveria e Afganistanit, Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja, e që ka të bëjë me përfundimin e tranzicionit të sigurisë deri më 2012, është një plan i shëndoshë. Është një plan i arritshëm.

Kur të realizohet, ushtria dhe policia afgane do të jenë përgjegjëse për sigurinë në vend. Me fjalë të tjera, Qeveria e Afganistanit do të ketë kontroll sovran të sigurisë së saj dhe mbrojtje të popullit të saj.

Për ta arritur këtë qëllim, që është ambicioz, duhet të bëhen disa gjëra. Ne duhet të kemi rritje të vazhdueshme dhe të qëndrueshme të cilësisë dhe sasisë së Ushtrisë Kombëtare të Afganistanit, për të zëvendësuar forcën e ISAF-it, e cila po shërben në Afganistan. Por, unë mendoj se është një plan realist dhe, siç e thashë, mendoj se është i arritshëm.

Ajo që ne parashikojmë - për aq kohë sa jemi të mirëpritur këtu - është që për shumë vite forcat tona ushtarake të sigurojnë asistencë të trajnimit, ndihmë në pajisjen e forcave të juaja, aftësi të caktuara që forcave të juaja mund t’iu mungojnë.

Ne po ashtu parashikojmë që forcat e juaja dhe tonat të shërbejnë së bashku në kryerjen e operacioneve anti-terroriste, kundër armiqve të përbashkët terroristë.

RADIO EVROPA E LIRË
Shumë afganë janë të shqetësuar se forca e tanishme e sigurisë, sidomos ushtria dhe policia përbëhen nga anëtarë të ish-milicisë, nga grupet xhihadiste, nga ish-milicia komuniste dhe milicia e talibanëve. Pra, ka një brengë se pas vitit 2014 këto forca mund të rikthehen në formacionet e tyre të vjetra të milicisë. Cila është përgjigjja juaj për këto shqetësime?

KARL EIKENBERI
Sigurisht, çështja e unitetit të forcave të sigurisë në të ardhmen, e di se është një shqetësim për popullin afgan.

Megjithatë, kujtoj kur kemi ardhur në vendin tuaj më 2002 me misionin për të ndihmuar Afganistanin të krijojë ushtrinë e tij të re, duke u përfshirë madje edhe në ato ditët e hershme me policinë… tani, teksa shoh kalibrin e forcave të juaja dhe udhëheqësinë e institucioneve, mendoj se është e fortë.

Tani është e qartë se në fund të ditës, ushtria dhe policia e çdo vendi i përgjigjen lidershipit politik. Pra, uniteti politik, koherenca politike dhe vullneti politik duhet të kontrollojnë ushtrinë dhe policinë.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, struktura politike ka shumë probleme. Ka ndarje të brendshme. Madje, as dy nënpresidentët nuk dakordohen në të vërtetë me presidentit. E njëjta gjë ndodh me ministrat, parlamentin dhe degët e tjera të pushtetit. Pra, nëse kjo është struktura e politikës së ushtrisë dhe nëse nuk ka konsensus se kush është armiku, si do të luftojnë kundër terrorizmit në Afganistan - qofshin ata talibanët apo ndonjë grup tjetër?

KARL EIKENBERI
Duke shërbyer në vendin tuaj për shumë vite, unë ende besoj se ajo që i bashkon të gjithë afganët është ndjenja e nacionalizmit, e gjithashtu edhe vetëdija për çmimin që do ta paguajnë nëse ata humbasin mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar – humbja e mbështetjes atëherë mund të vijë me përçarje.

Është gjithashtu e rëndësishme që në vitet e ardhshme të bëhen më shumë përpjekje në ndërtimin e institucioneve politike dhe institucioneve qeveritare nga ana e udhëheqësve në Afganistan.

RADIO EVROPA E LIRË
A mund të na i thoni arsyet kryesore të tensioneve dhe problemeve të fundit ndërmjet jush dhe presidentit Hamid Karzai?

KARL EIKENBERI
Që nga koha kur kam ardhur këtu për herë të parë, më 2002, ka pasur dallime të pikëpamjeve lidhur me atë se çfarë politikash duhet të miratojmë për të arritur qëllimet tona të përbashkëta. Sigurisht se ka pasur.

Ka pasur momente të frustrimit të presidentit Karzai. Ka pasur momente të frustrimit për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo nuk është një punë e lehtë.

Ne duhet të kemi raporte kudo që jemi, prapa dyerve të mbyllura, duhet të jemi të sinqertë me njëri-tjetrin. Por, edhe kur të hapet dera, ne duhet të kemi raporte, të sigurojmë njerëzit tanë se, me gjithë dallimet tona, ne jemi duke luftuar fort për arritjen e qëllimeve dhe objektivave tona të përbashkëta.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka një ndjenjë në mesin e shumë afganëve se Qeveria amerikane dhe ajo afgane nuk ishin në gjendje në 10 apo 11 vjetët e fundit të ndajnë një pikëpamje të përbashkët në politikë, për praninë e forcave të NATO-s. Për çështje të ndryshme ata nuk ishin në gjendje të flisnin në mënyrë miqësore apo të sinqertë. Është e saktë kjo?

KARL EIKENBERI
Përderisa të ecim përpara gjatë disa viteve të ardhshme, ne do të vazhdojmë të kemi diskutime të vështira mes Qeverisë së Afganistanit dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Nuk ka asnjë mënyrë për ta shmangur këtë.

Populli afgan gjithnjë e më shumë e do sovranitetin. Ai do qeverinë e tij dhe forcën e tij të sigurisë të jetë në krye. Ne dëshirojmë ta bëjmë këtë.

Duke bërë përpjekje për të arritur - me ritmin që kemi - të themi marrëveshje për mbajtjen e forcave tona ushtarake në vendin tuaj, ne do të shkojmë në ndryshime, në bisedime të vështira. Nuk ka asgjë të keqe po qe se ka bisedime të vështira midis miqve të mirë. Ne do të vazhdojmë t’i kemi këto.

RADIO EVROPA E LIRË
Një shqetësim tjetër ka të bëjë me Iranin dhe ndërhyrjen e tij në Afganistan. Ushtria amerikane dhe britanike kanë prova të ndërhyrjes, por nuk ka pasur presion ndaj Teheranit. Qeveria afgane mban marrëdhënie me qeverinë iraniane. Autoritetet afgane madje dëgjojnë zyrtarët iranianë teksa mbajnë fjalime kundër aleatëve tanë në vend dhe ato nuk bëjnë ndonjë koment. Cila do të jetë strategjia e aleatëve në të ardhmen, nëse Irani vazhdon aktivitetet e tij?

KARL EIKENBERI
Irani është duke siguruar një shkallë të mbështetjes për disa elemente të talibanëve. Kjo është absolutisht e qartë. Varet nga Qeveria afgane se si i merr vendimet e saj – natyrisht çfarë lloj diplomacie, çfarë lloj marrëdhëniesh dëshiron të ketë me të gjithë fqinjët tuaj.

Ne besojmë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, para së gjithash, mbeten një mik shumë i mirë i Afganistanit. Dhe, çfarë është e rëndësishme për ne, është se ne kemi marrëdhënie të mira dypalëshe me Kabulin. (v.t.)
XS
SM
MD
LG