Ndërlidhjet

Dhjetë nga 45 gazetarët në polici, punuan për tabloidin


Shefi i Policisë së Londrës, Pol Stivenson, i cili dha dorëheqje, ka deklaruar se 10 nga 45 gazetarët e sektorit të tij për media, kanë punuar më herët për tabloidin News of the World, por ka demantuar se ka pasur kontakte të palejuara.

Stivenson në dëshminë para komisionit të parlamentit britanik ka thënë se ka qenë i befasuar për të keq, kur ka marrë vesh se ish drejtori i kësaj gazete, Neil Uallis, ka qenë i angazhuar si konsulent për media në polici.

Ndërkaq, shefi i perandorisë mediatike News Corp Rupert Mërdok dhe djali i tij, Xhejmsi janë paraqitur sot para një paneli të parlamentit britanik në lidhje me skandalin e përgjimit të telefonave.

Rupert Mërdok i tha komisionit se sot ishte “dita më e përulur” e jetës së tij, ndërsa djali i tij, Xhejms, i cili është shef ekzekutiv për Evropë dhe Azi i News Corp, kërkoi falje për viktimat e përgjimit.

Hetimi pason skandalin e përgjimit nga gazeta News of the World, e korporatës, News Corp.

News of the World u mbyll pasi që u zbulua se kishte përgjuar mesazhet me zë të familjes mbretërore, të politikanëve, të të famshmëve, gazetarëve rivalë, familjeve të ushtarëve të vdekur dhe të një adoleshenteje të vrarë.
XS
SM
MD
LG