Ndërlidhjet

Kufiri i borxhit, Obama apelon për kompromis


Presidenti Barak Obama u ka bërë thirrje publike ligjvënësve amerikane që të bëjnë kompromis dhe të arrijnë një marrëveshje për buxhetin në mënyrë që të shmangin atë që do të ishte mospagesë e paparashikuar e borxhit në SHBA.

Në një fjalim televiziv nga Shtëpia e Bardhë, të hënën në mbrëmje, Obama tërheqi vërejtjen se SHBA është vetëm një javë larg nga dështimi i mundshëm, që do të dëmtonte mirëqenien ekonomike të amerikanëve dhe do të dëmtonte pozicionin e SHBA-së në botë.

Obama fajësoi për krizën ligjvënësit nga Partia Republikane- duke i akuzuar ata se po refuzojnë që të bëjnë kompromis dhe se po mbështesin vetëm shkurtimet e shpenzimeve në programe, por jo edhe rritjen e taksave për amerikanët e kamur.

“Fatkeqësisht, në javët e kaluara, anëtarët republikanë të Dhomës Përfaqësuese kanë thënë se e vetmja mënyrë për të cilën ata do të votonin është, që ne të tjerët të pajtohemi me qasjen e tyre vetëm për shkurtimin e shpenzimeve. Nëse kjo ndodh,dhe në dështojmë, nuk do të kemi para të mjaftueshme për të paguar obligimet tona”, tha Obama.

Duke reaguar ndaj fjalimit të Obamës, Xhon Bohner, lideri i Republikanëve në Kongres, tha në fjalimin e tij televiziv, se SHBA nuk duhet të dështojë të paguajë obligimet- por se republikanët nuk besojnë se populli amerikan do të pranojë rritjen e kufirit të borxhit, pa bërë shkurtime domethënëse të shpenzimeve dhe pa reforma.

Nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje në Kongres në mes të republikanëve dhe demokratëve të Obamës mbi kufirin e ri të borxhit, më 2 gusht, ekspertët thonë se SHBA do të humbë mundësinë e saj legale për të huazuar para dhe të paguajë obligimet e saj- duke nxitur kështu turbullira të reja globale ekonomike.

Në mes të shqetësimeve për situatën, tregjet amerikane të aksioneve kanë rënë të hënën, ndërkaq, ari ka arritur shkurt çmimin rekord prej 1.624 për ons.
XS
SM
MD
LG