Ndërlidhjet

Tadiq: Pas ndërhyrjes së Prishtinës qëndron politika amerikane


Presidenti serb Boris Tadiq ka vlerësuar se pas ngjarjeve të fundit në Kosovë, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është në krizë dhe se ai mund të vazhdojë vetëm pasi që të kthehet gjendja e mëhershme.

“Ne dëshirojmë që të vazhdojmë dialogun, por këtë do ta bënim atëherë kur situata të kthehet siç ishte para intervenimit të njësisë ROSU”, ka thënë Tadiq në një intervistë për televizionin serb B92.

Ai ka vlerësuar se në Prishtinë ka pasur ndikim politika amerikane dhe ambasadori amerikan në Prishtinë dhe se nga ta edhe varet nëse shqiptarët do t’i kthehen dialogut.

“Do të ishte e dobishme që ambasadori amerikan në Prishtinë të mos japë deklarata që nxisin konflikt dhe mos të trimërojë administratën e Prishtinës në reaksione agresive”, ka thënë Tadiq.

Ai ka thënë se sipas informacioneve që ka, “strukturat kriminale në Kosovë të lidhura edhe me serbët edhe me shqiptarët janë përgjegjëse” për djegien e pikës kufitare në Jarinë.

“Duhet pyetur me kujdes se kush dha instruksione për djegien e atij vendkalimi doganor ku serbët përbënin shumicën, dhe që sipas marrëveshjeve të mëhershme, ajo pikë doganore nuk paraqiste asnjë problem. Djegia e saj cënon interesat e Republikës së Serbisë dhe të popullit serb në Kosovë”, ka thënë Tadiq.

Ai ka thënë se “është befasuese se politikën në Kosovë e udhëheq një ambasador i SHBA-së”, i cili, sipas Tadiqit, “më shumë se njëherë ka vënë në dukje deklaratat e tij radikale”.
XS
SM
MD
LG