Ndërlidhjet

Turqi, tensionohen raportet mes ushtrisë dhe qeverisë


Shefat e shtabit të ushtrisë turke kanë dhënë dorëheqje, për shkak të tensioneve me qeverinë.

Bashkë me kreun e forcave të armatosura të Turqisë, gjeneralin Isik Kosaner, dorëheqje kanë dhënë edhe krerët e forcave ajrore, tokësore dhe detare.

Kosaner citohet të ketë thënë se hapi i tij vjen në shenjë proteste ndaj burgosjes së disa oficerëve ushtarakë.

Zyra e kryeministrit Rexhep Taip Erdogan, përmes një deklarate, pohoi largimin e katër komandantëve, por nuk përmendi arsyet.

Deklarata gjithashtu emëron gjeneralin e xhandarmërisë, Nekdet Ozel, si udhëheqës të ri të forcave tokësore dhe zëvendësshef të shtabit të përgjithshëm.

Tensionet midis ushtrisë dhe qeverisë së Erdoganit kanë qenë të larta në vitet e fundit.

Rreth 250 ushtarakë ndodhen aktualisht në burg, shumica prej tyre nën akuzat për kospiracion kundër qeverisë së Erdoganit.

Në Bruksel, NATO-ja nuk ka pranuar të komentojë dorëheqjet. Ushtria e Turqisë është e dyta për nga madhësia në Aleancën 27-anëtarëshe të NATO-s.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Mark Toner, tha se dorëheqjet janë “çështje e brendshme”.
XS
SM
MD
LG