Ndërlidhjet

Tadiq: Aksioni i ROSU-së ka provokuar konflikt në Ballkan


Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, ka thënë se “aksioni i Forcave Speciale të Policisë së Kosovës objektivisht ka kërcënuar dhe provokuar konflikt më të gjerë në Ballkanin Perëndumor".

Tadiq ka kërkuar kthim të gjendjes së mëparshme në veriun e Kosovës, si kusht për vazhdimin e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës.

"Dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës nuk ka alternativë. Nuk ka zgjidhje më të mirë. E vetmja zgjidhje tjetër është dhuna dhe lufta. Prishtina i është drejtuar dhunës në këtë moment, Beogradi jo, dhe kjo duhet të deklarohet qartë. Ne duam që të vazhdojë dialogu, por dialogu mund të vazhdojë vetëm nëse rivendoset gjendja e mëparshme në terren, siç ishte para intervenimit të trupave të ROSU-së”, ka thënë Tadiq për agjencinë Reuters.

Kreu i shtetit serb i ka bërë thirrje ambasadorit amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell, të përmbahet nga deklaratat që, sipas tij, shkaktojnë dhunë.

“Politika amerikane dhe ambasadori amerikan në Prishtinë kanë ndikimin më të madh në administrimin e Prishtinës. Do të ishte e dobishme nëse ambasadori amerikan në Prishtinë përmbahet nga deklaratat që shkaktojnë dhunë dhe konflikte, si dhe inkurajojnë administratën e Prishtinës të reagojë në mënyrë agresive. Në këtë mënyrë, ai do t’i kontribuonte paqes në Kosovë. Unë thellësisht besoj se paqja në Kosovë është qëllim i administraës amerikane”, ka deklaruar mes tjerash Tadiq.

XS
SM
MD
LG