Ndërlidhjet

Vestervele dënon ashpër dhunën e fundit në Siri


Ministri i Jashtëm gjerman Guido Vestervelle, ka dënuar sot ashpër goditjen ushtarake ndaj demonstruesve në Siri dhe ka kërcënuar me sanksione të reja regjimin e presidentit Bashar al-Asad.

“Unë jam i tronditur thellë nga ajo që ne jemi duke parë në Siri," ka thënë Vestervelle në një deklaratë të lëshuar nga ministria e tij, pas njoftimeve se 95 persona janë vranë të dielën, pasi ushtria kishte hapur zjarr mbi demonstruesit anti-qeveritarë në qytetin qendror sirian Hama.

"Qeveria federale i bën thirrje presidentit Asad që menjëherë t'i japë fund dhunës kundër demonstruesve paqësorë dhe të angazhohet për një dialog", ka thënë ministri.

"Nëse presidenti Asad dështon për të ndryshuar veprimet e tij, ne dhe partnerët tanë në BE, do të vendosim sanksione të reja," tha ai.

Vestervelle tha gjithashtu se Gjermania, e cila aktualisht ka kryesimin e Këshillit të Sigurimit, është duke bërë përpjekje diplomatike për të bindur anëtarët e tjerë të Këshillit për të dënuar sjelljen e regjimit të Asadit.

Franca, Britania, Gjermania dhe Portugalia kanë propozuar një rezolutë në Këshillin e Sigurimit për t’i dënuar goditjet e Asadit, por Rusia dhe Kina kanë shprehur kundërshtimin e tyre, sikur se edhe Brazili, Afrika e Jugut dhe India.

Ndryshe më shumë se 12.000 persona është raportuar se janë arrestuar në Siri, por ende nuk ështe e qartë se sa prej tyre janë liruar.
XS
SM
MD
LG