Ndërlidhjet

Komuniteti ndërkombëtar dënon dhunën në Siri


Komuniteti ndërkombëtar ka dënuar ashpër dhunën në Siri, pas vdekjes së afro 140 personave në protestën e fundit anti-qeveritare.

Aktivistët thanë se të paktën 136 njerëz janë vrarë nga sulmet me tanke të forcave ushtarake.

Në përgjigje të gjakdershjes së raportuar, Gjermania ka kërkuar takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Në Uashington, presidenti amerikan, Barak Obama, tha se “është tronditur nga brutaliteti i Qeverisë siriane kundër popullit të saj”.

Ministria e Jashtme turke ka bërë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të dhunës, duke thënë se Ankaraja “është thellësisht e trishtuar dhe e zhgënjyer, bashkë me gjithë botën islame, nga zhvillimet aktuale në prag të muajit të Ramazanit”.

Shefja për politikë të jashtme e Bashkimit Evropian, Kethrin Eshton, e ka quajtur “të pajustifikuar dhe të papranueshme” gjakderdhjen e fundit, duke shtuar se “forcat siriane të sigurisë kanë për obligim të mbrojnë qytetarët e tyre dhe jo t’i masakrojnë”.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-mun, ka paralajmëruar se, sipas ligjit ndërkombëtar të të drejtave të njeriut, “autoritetet siriane janë përgjegjëse për të gjitha aktet e dhunës, të kryera kundër popullatës civile”.
XS
SM
MD
LG