Ndërlidhjet

Thaçi përsërit: S'ka kthim!


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaci, theksoi se edhe pas zhvillimeve te reja në veri të Kosovës, nuk do të ketë kthim prapa në gjendjen status-quo.

Ai tha se në takimin me ndëmjetësin evropian, Robert Kuper, Prishtina zyrtare i ka bërë edhe një herë të qarta vijat e saj të kuqe në dialog me Beogradin.

Respektimi i Kushtetutës së Kosovës, i rezolutës së Kuvendit për bisedime dhe integriteti territorial i vendit janë çështje që, sipas zotit Thaçi, nuk do të diskutohen me autoritetet e Serbisë.

Ai tha se "çështja e pikave doganore 1 dhe 31, ndonëse çështje politike dhe elektorale për Serbinë, është ekzistenciale për Kosovën".

Kryeministri Thaçi hodhi poshtë mundësinë e ndarjes së Kosovës dhe tha se hapja e çështjes së kufijve për Kosovën do të nënkuptonte hapjen e çështjes së kufijve në rajon.

Megjithatë, Thaçi bëri të ditur se në takimin me zotin Kuper, Qeveria e Kosovës ka shprehur përkushtimin e saj për integrimet evropiane, mirëpo ky përkushtim, sipas tij, "nuk mund të realizohet përderisa Kosova nuk ka një agjendë të qartë evropiane nga Brukseli zyrtar".

Këto komente, zoti Thaçi i ka bërë në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, e cila u mbajt në orët e pasdites.
XS
SM
MD
LG