Ndërlidhjet

S'ka krizë humanitare


Në Kosovë nuk ka krizë humanitare ka thënë sot kryeministri Hashim Thaçi, por, pavarësisht kësaj, ai ka lënë të nënkuptohet se ndihmat humanitare do të lejohen të hyjnë në veri .

Kryeministri Thaçi, ka thënë se pas një takimi të gjatë me komandantin e KFOR-it, gjeneralin Byhler, ka sqaruar situatën e krijuar pas zhvillimeve të mbrëmshme dhe sipas tij, është arritur mirëkuptim për hapat e mëtutjeshëm.

“Shqetësimi ynë ndërlidhet me formulimet e raportuara për kriza dhe nevoja humanitare. Pikë së pari, në Kosovë nuk ka krizë humanitare. Politikanët nuk janë ata që përcaktojnë a ka krizë humanitare apo jo. Dje në Mitrovicë, të gjitha agjencitë e Kombeve të Bashkuara që merren me çështje humanitare kanë konkluduar që nuk ka asnjë lloj krize humanitare në veri”, ka thënë në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Hashim Thaçi.

Në projekt-marrvëshjen në mes të KFOR-it dhe zyrtarëve të Qeverisë serbe, thuhej ndër të tjera se “veturat, kamionët me peshë deri në 3.5 tonë dhe kamionët që transportojnë ndihma humanitare, përfshirë edhe ushqimin, mund të kalojnë pas kontrollimit të identitetit dhe kontrollit për armë”.

Megjithatë, zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari Lila, konfirmoi se sot do të hyjnë disa tonë ndihma humanitare nga Kryqi i Kuq i Serbisë.

“Kemi të bëjmë me ndihmë humanitare, që dërgohet nga Kryqi i Kuq i Serbisë dhe vetëm kjo dërgesë lejohet andej. Por, për dërgesat tjera do të presim mendimin e kualifikuar të organizatave ndërkombëtare pasi që nuk mund të lejojmë që kjo situatë të manipulohet nga ana e Serbisë për qëllime politike”, tha në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, Mimoza Kusari-Lila.

Ajo ka thënë se masa e reciprocitetit me Serbinë do të vazhdojë dhe “ndërsa vazhdon ndalimi i mallrave komerciale, përjashtim bëjnë mallrat humanitare”.

“Në raport me mallrat humanitare kemi kërkuar mendim të kualifikuar të organizatave ndërkombëtare, të OKB-së, dhe Kryqit të Kuq Ndërkombëtar në raport me situatën atje, në mënyrë që Serbia mos ta përdorë këtë si propagandë sepse kemi informacione se asnjë artikull nuk mungon në veriun e Kosovës dhe të gjitha dyqanet janë mirë të furnizuara me artikuj ushqimorë”, tha Kusari-Lila.


Konsultimet e mbrëmshme

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe Gjenerali i KFOR-it, Erhard Buhler, kanë zhvilluar konsulta mbrëmë vonë, lidhur me zhvillimet e orëve të fundit, rreth situatës në veri të Kosovës.

Lajmi bëhet i ditur në një komunikatë të lëshuar nga Qeveria e Kosovës.

“Është konstatuar se nuk ka kthim prapa, do të vazhdojë kontrolli i plotë i pikave 1 dhe 31, domosdoshmëria për heqjen e bllokadave rrugore dhe krijimin e plotë të kushteve të sigurisë për të gjithë qytetarët në veri”, thuhet në komunikatë, në të cilën gjithashtu precizohet se konsultimet do të vazhdojnë edhe sot.


Draft - marrëveshja

Konsultimet e mbrëmshme kanë pasuar një takim që komandanti i KFOR-it, gjenerali Erhard Byler, zhvilloi me kryengeociatorin e Serbisë, Borisllav Stefanoviq, dhe ministrin serb për Kosovën, Goran Bogdanoviq, në të cilin u bë e ditur se është hartuar një draft-marrëveshje:

***Në portën 1 (vendkalimi kufitar në Jarinë) dhe portën 31 (vendkalimi kufitar në Bërnjak) sistemi i tanishëm i kontrollit do të vazhdojë i pandryshuar deri në mes të muajit shtator, 2011. Nëse është e nevojshme, kjo kornizë kohore mund të zgjatet. KFOR-i mban komandën dhe kontrollin në kalimet kufitare.

***Veturat, kamionët me peshë deri në 3.5 tonë dhe kamionët që transportojnë ndihma humanitare, përfshirë edhe ushqimin, mund të kalojnë pas kontrollimit të identitetit dhe kontrollit për armë.

***Bllokadat rrugore do të hiqen dhe liria e lëvizjes do të rivendoset.

Qeveria e Kosovës, draft-marrëveshjen në fjalë e vlerësoi si të papranueshme.

Përmes komunikatës për media, ekzekutivi ka njoftuar opinionin publik se, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, "kjo draft-marrëveshje është e papranueshme për Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe e parealizueshme në territorin e Republikës së Kosovës".

"Qeveria e Kosovës do të respektojë në përpikmëri masat e reciprocitetit me Serbinë", thuhet në komunikatë.

Ekzekutivi i vendit ka mirëpritur përpjekjet e KFOR-it për zhbllokimin e rrugëve dhe krijimin e një ambienti të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës, detyra këto që, siç thuhet, janë në përputhje me mandatin që e ka KFOR-i.

"Për Kosovën nuk do të ketë kthim prapa në gjendjen e para 25 korrikut", thekson Qeveria e Kosovës në komunikatën drejtuar mediave.
XS
SM
MD
LG