Ndërlidhjet

Byler: Mungesa e sundimit të ligjit - shkak i dhunës


Komandanti i KFOR-it, gjenerali gjerman Erhard Byler, tha se mungesa e sundimit të ligjit dhe strukturat e fuqishme kriminale janë shkaktare kryesore të krizës aktuale në veri.

Duke folur pë të përditshmen gjermane "Der Tagesspiegel", Byler tha se në këtë pjesë të Kosovës është dashur të vendoset shumë kohë më parë sundimi i ligjit.

"Ky është një nga shkaqet e problemit. Këtu është lejuar një kohë të gjatë formimi i strukturave radikale. Ato janë kryesisht struktura shumë të fuqishme kriminale, të ndërtuara me përbërje multietnike", tha Byler.

Sipas tij, këto struktura menaxhojnë dhe financojnë forca të armatosura. Të njëjtat, shtoi Byler, drejtojnë barrikadat dhe paguajnë njerëzit që qëndrojnë në to.

"Nga banorët paqedashës të veriut, ato kanë bërë pengje të tyre", tha Byler.

Ai deklaroi se është në interes të Serbisë që situata në Kosovë të mbetet e qetë. Komandanti i KFOR-it shprehu besimin se Prishtina, Beogradi dhe komuniteti ndërkombëtar janë "shumë të interesuar për të vazhduar dialogun".

Byler tha se "negociatat për krizën në Kosovë po vazhdojnë ende" dhe se bisedime do të zhvillohen edhe në nivelin evropian.
XS
SM
MD
LG