Ndërlidhjet

"Plumbat fluturojnë në kufi..."


Forcat speciale të Policisë së Kosovës në Mitrovicë, 26 korrik 2011.
Forcat speciale të Policisë së Kosovës në Mitrovicë, 26 korrik 2011.
"The Economist"

Është ora pesë e mëngjesit dhe në manastirin ortodoks të Deçanit, të vjetër 700 vjet, tingujt qetësues të lutjeve arrijnë majat e qiellit. Disa orë më vonë, të forcuar me një mëngjes të bollshëm dhe me leximin nga jeta e shënjtorëve, murgjit me mjekra të gjata dhe veshje të zeza ikin të punojnë.

Në brendësi të thellë të Kosovës, të rrethuar nga shqiptarët, 24 murgjit vazhdojnë jetën e tyre. Me rindërtimet që po bëhen në manastir, kjo gjeneratë thotë se po vendos themelet për 700 vjetët e ardhshëm të këtij institucioni.

Por, çfarë me pjesën tjetër të serbëve të Kosovës? Dhe, çfarë me marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës?

Në bisedimet e sponsorizuara nga Bashkimi Evropian, vendet arritën marrëveshje për “çështje teknike”, si auto-targat. Të inkurajuar, kosovarët kanë pritur marrëveshje të tjera, që do t’iu lejonin eksportin e mallrave në dhe përmes Serbisë, çfarë ishte ndaluar që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 2008.

Por, Serbia shtyu raundin e bisedimeve, ndërsa Qeveria e Kosovës nisi ofensivën. Fillimisht goditi me taksa prodhimet serbe. Më pas, më 25 korrik, dërgoi njësitet speciale të policisë në veriun e banuar me serbë, për të vënë nën kontroll dy pikat kufitare, të cilat kishin qenë jashtë kontrollit të saj që nga pavarësia.

Problemi u ndez: një polic kosovar u vra, njëra pikë kufitare u dogj nga serbët dhe NATO dërgoi paqeruajtësit. Popullariteti i kryeministrit Hashim Thaçi u rrit.

Rreth 40 mijë serbë të Kosovës – rreth një e treta e totalit – jetojnë në veri. Ndryshe nga vëllezërit e tyre etnikë në pjesë të tjera të vendit, ata nuk bashkëpunojnë me autoritetet kosovare.

Disa zyrtarë serbë madje kanë nisur të diskutojnë ndarjen: ata do ta njohin Kosovën në këmbim të aneksimit të pjesës veriore. Por, diplomatët e urrejnë këtë ide. Ata kanë frikë se ndryshimi i kufijve në Kosovë mund të çojë në presion të parezistueshëm, për të bërë një gjë të tillë edhe në Bosnjë e Maqedoni.

Për momentin, shtrohet pyetja nëse Kosova ka fundosur bisedimet me Serbinë. Diplomatët e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara nuk e kontestojnë të drejtën e qeverisë për të kontrolluar kufijtë e saj dhe pajtohen se Serbia ka provuar durimin e të gjithëve. Por, të njëjtit i shohin edhe veprimet e Kosovës si të nxituara.

Kosova ka tronditur zyrtarët serbë, të cilët kanë tendencë ta shohin atë si palë lutëse. Në fakt, shumë punë në Serbi varen nga eksporti në Kosovë. Një javë pas masës së Kosovës në kufi, numri i kamionëve nga Maqedonia sugjeronte se kosovarët nuk e kanë shumë problem për t’i zëvendësuar mallrat serbe... (v.t.)
XS
SM
MD
LG