Ndërlidhjet

S'ka vendim për barrikadat


Pika e parë e pajtueshmërisë së arritur mes KFOR-it, Prishtinës e Beogradit - heqja e barrikadave nga rrugët që çojnë në pikat kufitare 1 dhe 31, nuk u përmbush as të martën.

Seanca e përfaqësuesve të katër komunave veriore, në të cilën është dashur të vendoset për heqjen e barrikadave është ndërprerë, duke mos u caktuar ndonjë datë tjetër për mbajtjen e saj.

Sipas përfaqësuesve serbë të veriut, “nuk ka pasur kushte formale ligjore” për mbajtjen e seancës, meqë në të nuk kanë marrë pjesë përfaqësues të Zubin Potokut, anëtarë të partisë së ish kryeministrit serb, Vojisllav Koshtunica.

Njëri nga përfaqësuesit e serbëve të Mitrovicës, Marko Jakshiq, ka kritikuar veprimin e sotëm.

“Mendoj se në takimin e sotëm nuk është respektuar skenari meqë seanca është dashur të dëshmojë një unitet", ka thënë Marko Jakshiq, duke shpjeguar se pas mosparaqitjes së përfaqësuesve të Zubin Potikut, ata të Zveçanit vendosën ta ndërprejnë seancën dhe ta braktisën atë.

Jakshiq ka shprehur bindjen e tij se përfaqësuesit e katër komunave duhet të ulen dhe të dalin me një qëndrim të përbashkët mbi atë që ai e quajti plani “Dy T”, duke shpjeguar se ky akronim ka të bëjë me mbiemrat e presidentit serb Boris Tadiq dhe kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Zyrtarë të Qeverisë serbe, të cilët arritën pajtimin me KFOR-in për një plan që ka të bëjë me gjendjen e krijuar në veri pas 25 korrikut, kritikuan veprimin e sotëm.

Ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviq, e ka vlerësuar si “mesazh të keq” ndërprerjen e takimit.

“Ajo që ka ndodhur sot në Leposaviq u dërgon mesazh të keq qytetarëve, para se gjithash, atyre të veriut të Kosovës dhe me ketë edhe gjithë qytetarëve të Kosovës. Ajo për çka jemi angazhuar , gjatë gjithë këtyre ditëve - për një unitet të domosdoshëm - sot është shkelur”, ka thënë Bogdanoviq për mediat serbe.

Serbët në veri kanë vendosur barrikada në rrugët që çojnë ka pikat kufitare 1 dhe 3, menjëherë pas aksionit të njësisë speciale të Kosovës, për të futur nën kontroll pikat kufitare.

Pas disa ditë negociatash mes KFOR-it, zyrtarëve të qeverisë në Prishtinë dhe në Beograd, është arritur pajtueshmëri për një plan 10 pikësh, në pikën e parë të të cilit kërkohet heqja e barrikadave.

Ka qenë presidenti serb Boris Tadiq, ai që u duk se i bindi serbët lokalë për heqjen e barrikadave, pas një takimi të veçantë që pati me përfaqësues të katër komunave ne Beograd.

Megjithatë, situata në terren mbetet e njëjtë.

Në anën tjetër, shefi i ekipit negociator të Serbisë, Borisllav Stefanoviq ka sqaruar se nuk ka afat për heqjen e barrikadave.

“Është me rëndësi që të përmendet se nuk ekziston ndonjë afat për heqjen e barrikadave, nuk është urdhëruar të ndodhë kjo në ndonjë datë specifike. Për këtë arsye duhet shkuar hap pas hapi”, tha Stefanoviq.

Por, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi një ditë më parë tha se heqja e barrikadave është çështje orësh.

Për kryeministrin Thaçi, pajtueshmëria e së premtes, është e arritura më e madhe që nga pavarësia e Kosovës, edhe pse deri më tani, ekzistojnë dilema për zbatimin e plotë të saj.

Ndryshe, pikat kufitare në Jarinë dhe Bërnjak mbeten zona të kufizuara ushtarake, ku në pikën 1 kontrollin e plotë e ka vetëm KFOR-i, ndërkaq në atë 31 thuhet se përveç KFOR-it, të pranishëm janë edhe pjesëtarë të policisë.
XS
SM
MD
LG