Ndërlidhjet

Nis heqja e pjesshme e barrikadave


Pamje nga pjesa veriore e Mitrovicës...
Pamje nga pjesa veriore e Mitrovicës...
Ka nisur heqja e pjesshme e bllokadave nga rrugët që çojnë kah pikat kufitare 1 dhe 31 në veri të Kosovës. Por, ende mbetet e bllokuar rruga në Rudare. Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se nuk ka perspektivë për barrikaduesit. Plani i Qeverisë për kthimin e kontrollit në veri është mbështetur sërish nga kreu i ICO-s, Piter Faith, i cili i ka bërë thirrje komuniteti serb që të respektojë marrëveshjen e arritur me KFOR-in.

Serbët në Leposaviq dhe në Zupç kanë nisur gjatë natës së mbrëmshme heqjen e barrikadave rrugore, por ajo më e madhja në vendbanimin Rudarë mbetet edhe më tej.

Heqja e barrikadave vjen disa orë, pasi ndërprerjes së takimit të përfaqësuesve të katër komunave veriore, në të cilin është dashur të merret vendim për barrikadat, për të përmbushur kështu njërën nga pikat e pajtueshmërisë së arritur mes KFOR-it, Prishtinës e Beogradit.

Kryeministri Hashim Thaçi ka bërë të qartë se nuk do të ketë perspektivë për ata që janë duke bllokuar rrugët.

Tanimë ka filluar largimi i disa barrikadave në veri që kanë qenë të instaluara prej strukturave kriminale. Qeveria e Kosovës do të respektojë mirëkuptimin e përbashkët me NATO-n KFORi-in. Gjithë ata që vazhdojnë t’i rezistojnë realitetit të ri, duhet ta kenë të qartë se nuk do të ketë perspektivë për barrikaduesit dhe bllokuesit, por perspektivë të sigurt do të ketë rendi dhe ligji, lëvizja e lirë e njerëzve”, tha në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Thaçi.

Në anën tjetër, njëri nga përfaqësuesit e serbëve lokalë, Kërstimir Pantiq, është shprehur i bindur se të paktën barrikada në Rudarë do të qëndrojë edhe më tej.

Barrikadat në Leposaviq, Zubin Potok nuk janë hequr, vetëm janë lënë anash. Qytetarët do të jenë ende kujdestarë në rrugët magjistrale dhe do të jenë të gatshëm që të reagojnë, po që se do të ketë nevojë, sepse ata më nuk i besojnë komunitetit ndërkombëtar dhe e kanë humbur besimin edhe në KFOR-in që tash është vënë plotësisht në anën e shqiptarëve”, ka thënë Pantië për të shtuar se barrikada në Rudarë nuk hiqet.

Ky është qëndrim i të gjithë qytetarëve të Mitrovicës së veriut dhe të Zvecanit. Ata nuk duan t’i heqin barrikadat, sepse ato janë e vetmja garanci, e vetmja armë qe kemi në luftën kundër njësisë ROSU që të mos i marrë vendkalimet kufitare”, tha Pantiq.

Por, KFOR-i, që ka negociuar marrëveshjen me Prishtinën dhe Beogradin, parakushti i së cilës është heqja e barrikadave, pret heqjen e plotë të tyre.

Disa nga ta kanë nevojë për më shumë kohë që ta diskutojnë me njerëzit me liderët kryesorë. Ne jemi të durueshëm dhe gjëja e mirë këtu, është se kemi qasje në portat tona”, tha zëdhnësi i KFOR-it, Hans Vihter, për të shtuar se bllokada në Rudarë do të marrë kohë për t’u hequr, pasi që aty është vendosur material shumë i rëndë.

Në anën tjetër, Qeverisë i ka ardhur sot një mbështetje për veprimet e saj nga ana e shefit të Zyrës Civile Ndërkombëtare, Piter Faith, i cili u ka bërë thirrje serbëve lokalë që të respektojnë marrëveshjen me KFOR-in.

E kam thënë edhe me datën 26 se Qeveria ka plotësisht të drejtë të përpiqet të marrë kontrollin në tërë territorin, po ashtu çka kam thënë është se Qeveria duhet të bëjë të pamundurën që të integrojë të gjitha komunitete dhe të mbrojë të drejtat individuale të secilit komunitet dhe që të punojë drejt pajtimit”, tha Faith, duke bërë thirrje për respektim të marrëveshjes.

Unë do t’i bëja thirrje të gjithëve që t’i respektojnë ato që janë arritur me përpjekjen e zotit Buhler mes përfaqësuesve serbë dhe autoriteteve të Prishtinës dhe të gjitha kushtet që janë në këtë marrëveshje mirëkuptimi të zbatohen sa më parë që të jetë e mundur”, ka thënë Faith gjatë një vizite në komunën me shumicë serbe të Shtërpcës.

Ndërkohë, partia opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka vlerësuar se “veprimet gjysmake dëmtojnë rëndë funksionalitetin e shtetit të Kosovës dhe vënë në dyshim arritjen e rezultateve të pritura”.

Sipas kësaj partie situata në veri të Kosovës nuk është normalizuar dhe si e tillë kjo situatë po vazhdon të sfidojë stabilitetin e brendshëm.

AAK insiston që të ndërmerren të gjitha masat që në atë pjesë të Kosovës të normalizohet jeta, e cila edhe më tutje është larg normalizimit. shtrirja e autoritetit të shtetit në veri të Kosovës nuk ka të bëjë vetëm me tentimin e kontrollit të pikave kufitare dhe doganore, por shumë më shumë”, thuhet në njoftimin e AAK-së.

Por, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, shprehet se gjendja prej 25 korrikut e këtej, ka ndryshuar rrënjësisht në veriun e kontrolluar nga strukturat paralele serbe, të financuara nga Beogradi zyrtar.

“Sot është gjendja për 5 mijë për qind më mirë se që ka qenë".

Nuk është 100 për qind si po mendojmë ne, dhe kjo është faza transitore, ne e dimë këtë.

Nëse sot është KFOR-i atje dhe i kontrollon, nëse sot ka kontroll të rreptë unë mendoj se është shumë më e mirë sesa që ka qenë. Dhe unë besoj se do të punojmë edhe sot, edhe pas 10 vjetësh, sa të jetë KFOR-i këtu edhe kur të hyjmë në NATO me forcat e tyre”, tha Kuçi.

Ndryshe, zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari Lila, ka thënë se që nga vendosja e masave të reciprocitetit, bizneset kosovare kanë raportuar për rritje të të hyrave, dhe si rezultat i kësaj, edhe rritje të punësimit.
XS
SM
MD
LG