Ndërlidhjet

Economist: Anarki në Britaninë e Madhe


Londër, 10 gusht 2011.
Londër, 10 gusht 2011.
"Economist"

Përgjigjja e parë e shumë njerëzve në Britani ndaj trazirave - që filluan në lagjen Totenhem të Londrës, më 6 gusht, dhe u përhapën në Mançester, Birmingen dhe në shumë qytete të tjera - ishte: “Kjo është e turpshme”.

Së bashku me turpin, aty ishte dhe goditja befasuese. Shumica që i bindet ligjit, papritmas e pa se disa nga bashkëkombasit e tyre ishin të lumtur me djegien e makinave dhe të ndërtesave, me vjedhje të shitoreve dhe me sulme ndaj zjarrfikësve dhe ndihmave të para mjekësore.

Keqpërdorimi i besimit, që është në zemër të rendit social, ishte shfaqur në mënyrë të dhunshme; doli që nëse një numër i mjaftueshëm i kriminelëve dëshiron të krijojë kërdi në rrugë, ai mund ta bëjë këtë.

Në mungesë të përmbajtjeve të brendshme morale, vetëm ato të jashtmet mund të bëjnë shumë.

Bota e shikoi Londrën me habi fascinuese. Vendet e tjera kishin për qëllim ta shikonin Britaninë si vend me rregull, për t’ia pasur lakmi, që i bindet ligjit - së paku krahasuar me shumë nga fqinjët kontinentalë.

Ky imazh paqësor është arsyetuar vetëm pjesërisht: trazirat infektuese kishin ndodhur edhe më parë, në mënyrë tipike gjatë verës, përfshirë vitet ’80.

Kësaj radhe, megjithatë, kompleksiteti i trazirave është i ndryshëm nga ato të mëhershmet.

Trazirat e shumëfishta këtë javë i kanë disa gjëra të përbashkëta: vjedhjen, zjarrvënien, sulmet kundër policisë, por ato u shtrinë në vende, raca, mosha dhe gjini të ndryshme.

Raca nuk ishte çështje definuese, sikur që ishte në shumë trazira në vitet ‘80. Njëri nga ata që të parët u paraqitën në gjykatë për vjedhje, ishte një asistent mësimor, 31-vjeçar, që vështirë se i përngjan huliganit. Kjo bëri që politikanët t’i projektojnë aryetimet e veta për këtë kërdi.

Për disa në të majtë, fajtore ishin shpenzimet publike qeveritare. Kësaj pikëpamjeje i shkonte për shtati edhe mbështetja sipërfaqësore, nga fakti se shpërthimet e viteve ‘80 kishin ndodhur gjatë “shkurtimeve Theçërike”.

Por, kjo ende është një fantazi e zvarritur. Për dallim nga trazirat në Britani në vitet ‘80, në Los Anxhelos më 1992, ose në Francë në vitin 2005, këto nuk ishin hapur politike ose racore.

Por, përgjigjja nga e djathta se ky është kriminalitet i pastër dhe i thjeshtë - dhe nëse synohet shpjegim më i thellë, është arsyetim për keqbërësit - është po ashtu e gabueshme.

Qartazi ekziston një lloj i njerëzve të rinj në Britani, të cilët ndjejnë se kanë pak ose aspak ndikim në të ardhmen e vendit ose të tyren.

Barrierat, ndjenja e pashmangshme e të vepruarit drejt dhe gabueshëm, shqetësimi për punën e tyre, perspektiva arsimuese dhe fajësia, që i parandaluan shumë të rinj nga vërsulja, duket se nuk kanë ekzistuar në mendjen e atye që morën pjesë në trazira. Britania duhet të përpiqet ta kuptojë përse kjo është kështu.

Trazirat ishin gjë e keqe për ekonominë britanike, që tashmë ka probleme. Ato ishin rrënuese për njerëzit - shtëpitë dhe bizneset e të cilëve ishin dëmtuar ose shkatërruar. Ato e kanë nxirë imazhin e Britanisë në mbarë botën. (f.b.)
XS
SM
MD
LG