Ndërlidhjet

A u riparua dëmi?


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Janë dëmtuar ose jo raportet mes institucioneve të Kosovës me EULEX-in? Ndërhyrja e njësive speciale të Policisë në veri, në fund të muajit korrik, bëri që vetë kreu i ekzekutivit të akuzojë misionin evropian se nuk e ndihmoi Prishtinën. Tri javë pas këtij aksioni, në Qeveria nuk ka një qëndrim unik në raport me EULEX-in.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës kanë qëndrime të ndryshme në lidhje me raportet me EULEX-in pas aksionit të Qeverisë për të marrë kontrollin në pikat kufitare në veri të vendit.

Ky aksion pati zbehur raportet, për të cilat ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se për një kohë kanë qenë të dëmtuara. Ai ka thënë se që nga ajo kohë, ka hezitim në shkëmbimin e informacioneve në mes të ministrisë që ai e drejton dhe EULEX-it.

Por, kështu nuk mendon ministri i drejtësisë, njëherësh zëvendëskryeministër, Hajredin Kuçi.

Qeveria e Kosovës ka vullnet të bashkëpunojë me EULEX-in, asnjëherë Qeveria e Kosovës nuk e ka vënë në dilemë bashkëpunimin me EULEX-in. Ne kemi pasur logjikën e dinamikës së punës dhe shpeshherë dinamika e veprimeve tona ka qenë më e shpejtë, por gjithmonë kemi menduar se bashkëpunimi ka sukses”, ka thënë Hajredin Kuçi, gjatë një vizite që ka pasur bashkë më shefin e komponentës së EULEX-it për drejtësi Silvio Bonfigli në Departamentin e Mjekësisë Ligjore.

EULEX-i nuk e pati ndihmuar Prishtinën zyrtare në aksionin e saj në veri. Për më tepër ndërhyrjen për kthimin e kontrollit në pikat kufitare e konsideroi si të padobishme, meqë nuk ishte bërë në koordinim me faktorin ndërkombëtar.

Për këtë qëndrim u kritikua nga vetë shefi i ekzekutivit, Hashim Thaçi.

Por, disa ditë pas aksionit, raportet duket se shkuan drejt përmirësimit, pas një takimi të Thaçit me shefin e EULEX-it, Ksavier de Marnak, gjatë të cilit ky i fundit tha se misioni evropian respekton Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Megjithatë, dy ditë më parë, ministri Rexhepi ka pranuar se qëndrimet me EULEX-in shpesh kanë qenë krejtësisht të ndryshme, kryesisht për çështjet që lidhen me mandatin dhe qëndrimin neutral ndaj statusit të Kosovës.

Nganjëherë po e teprojnë me atë mandat dhe nuk po e shpjegojnë drejt”, ka thënë Rexhepi, në intervistën për Radion Evropa e Lirë.

Por, zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi, flet për vazhdimësi të bashkëpunimit në fushat për të cilat EULEX-i ka kompetenca në Kosovë.

EULEX-i vazhdon bashkëpunimin me institucionet që merren me sundim të ligjit duke përfshirë drejtësinë, policinë dhe doganat e rasti i fundit në bashkëpunimin me policinë është hetimi i vrasjes së një polici të Kosovës, tentim vrasje me mjete shpërthyese si dhe incidentet në pikën 1 dhe 31. Të gjitha këto raste janë duke u hetuar në bashkëpunim mes policisë së EULEX-it dhe asaj të Kosovës, hetimet po bëhen nën udhëheqjen e prokurorëve të EULEX-it”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Blerim Krasniqi.

Zyrtarë të EULEX-it, tri vjet pas vendosjes në Kosovë, nuk kanë arritur që mandatin ta ushtrojnë në tërësi në veriun e kontrolluar nga strukturat paralele serbe.

Nuk dihet nëse tani pas arritjes së pajtueshmërisë mes KFOR-it, Prishtinës e Beogradit, EULEX do nisë së zbatuari ato që i ka quajtur prioritete siç është vendosja e doganierëve në kufi apo vënia në funksion e gjykatave.

Blerim Krasniqi shpjegon:

Të gjitha komponentët e EULEX-it janë të gatshme që të luajnë rolin e tyre në çfarëdo marrëveshje të arritur.
Të gjitha komponentët e EULEX-it janë të gatshme që të luajnë rolin e tyre në çfarëdo marrëveshje të arritur. Për momentin ne nuk kemi zyrtarë doganorë në këto dy pika ndërsa kemi zyrtarë policorë. Zyrtarët doganorë nuk kemi, sepse pikat kufitare 1 dhe 31 janë zona ushtarake dhe gjithë kontrollin atje e bën KFOR-i. Sa i përket Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë, atje janë prokurorët dhe gjykatësit e UELXE-it që kryejnë punët e përditshme”, tha Krasniqi.

Kryeministri Hashim Thaçi në ditët e para pas aksionit në veri pat tërhequr vërejtjen se partneriteti me ndërkombëtare duhet ruajtur, por jo duke shkelur kushtetutshmërinë e vendit.
XS
SM
MD
LG