Ndërlidhjet

Vulat doganore sqarojnë gjendjen në veri?


Pamje nga veriu i Mitrovicës...
Pamje nga veriu i Mitrovicës...
Agjenda e bisedimeve mes Prishtinës e Beogradit, që sipas Brukselit, pritet të rinisin në shtator nuk është bërë e ditur ende.

Por, analistët në Kosovë shohin ndërlidhje mes këtyre bisedimeve dhe gjendjes së krijuar në veri.

Varësisht se si do të zhvillohet, raundi i ardhshëm i bisedimeve edhe mund t’i japë kahje të ndryshme proceseve në veri të vendit, pjesë kjo, në të cilën Prishtina, duke zbatuar masat e reciprocitetit, u përpoq të shtrijë kontrollin me aksionin e 25 korrikut.

Drejtori ekzekutiv i Institutit KIPRED, Krenar Gashi, thotë se po që se palët arrijnë marrëveshje për vulat doganore, të cilat edhe ishin shkas i reagimit të Prishtinës në veri, gjendja në terren do të mund të ndryshojë.

Nëse arrihet marrëveshja për vulat doganore dhe nëse arrihet marrëveshja për qarkullim të lirë të mallit mes Kosovës e Serbisë sipas marrëveshjes së CEFTA-s, atëherë do të zhvishet një kamuflim i serbëve të rebeluar në veri se kinse po i bllokojnë rrugët për çështje doganore dhe jo për tendenca të destabilitetit të Kosovës, apo tendenca tjera eventuale secesioniste apo të ndarjes së veriut nga Kosova”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Krenar Gashi.

Pas një demaskimi të tillë, Gashi thotë, se liderët evropianë, duhet të ndjekin shembullin e kancelares Angela Merkel, e cila shumë qartë i kërkoi Beogradit që të shuajë strukturat paralele, të cilat i financon tash 12 vjet.

Në momentin e stabilizimit ky kamuflim i serbëve lokalë, i liderëve lokalë, i strukturave paralele që kanë punuar tash e 12 vjet për të destabilizuar Kosovën bie poshtë dhe kujtoj që liderët evropianë duhet më pas të shkojnë sipas hapave të kancelares Merkel dhe të bëhen shumë të qartë sa i përket ekzistimit të këtyre strukturave dhe të kërkojnë nga Serbia që menjëherë të ndalojë financimin e këtyre strukturave që vetëm kontribuojnë në destabilizimin e gjithë rajonit”, tha Gashi.

Aksioni i Prishtinës zyrtare në veri më 25 korrik dha si rezultat shpalljen e pikave 1 dhe 31 zona të kufizuara ushtarake nga ana e KFOR-it dhe siç thuhet ndalimin në masë të madhe të kontrabandës së mallrave përmes këtyre dy pikave kufitare.
Analistët pajtohen, se shkas i ndërhyrjes së Prishtinës, ishte mospajtimi i Beogradit për të pranuar vulat doganore të Kosovës.

Analisti Leon Malazogu, thotë se duke imponuar reciprocitetin doganor Prishtina ia ka dalë që të ketë një kontroll më të madh në veri, sesa që e ka pasur.

Por, Malazogu nuk mendon se një marrëveshje eventuale për vulat doganore do të ndikojë drejtpërdrejt në proceset politike në veri.

Zbatimi i çfarëdo marrëveshjeje për doganat do të ketë efekt vetëm sa i përket doganave dhe tregtisë dhe nuk mendoj se drejtpërdrejt do të ndikojë që Qeveria e Kosovës të ushtrojë më tepër ndikim në veri, mirëpo do të jetë mesazhi simbolik që do të dërgojë porosi te serbët e veriut se Beogradi ka hequr dorë në njëfarë mënyrë prej veriut dhe në njëfarë mënyrë është i gatshëm që për shkak të ardhmërisë drejt BE-së, Beogradi pjesërisht t’i viktimizojë serbët e veriut, apo më mirë të themi, të heqë dorë nga tentimi që veriun e Kosovës ta integrojë në Serbi”, tha Malazogu.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, vazhdimisht përsërisin se veriu nuk ka ndërlidhje me dialogun që do zhvillohet në Bruksel.

Por, vetë marrëveshja e arritur me KFOR-in, ka një periudhë kohore zbatimi deri në mesin e muajit shtator, kohë kjo kur është menduar se mund të ketë pajtim mes Prishtinës e Beogradit për vulat doganore.

Ndryshe, analisti Krenar Gashi, tërë këtë situatë e sheh si një kthesë të madhe, por jo edhe evitim të rrezikut që pjesa veriore të ndahet nga Kosova.

Veriu nuk është shpëtuar ende, por ka qenë një kthesë e madhe, e domosdoshme, shumë e vonuar, por prapë se prapë e domosdoshme e cila në rast e nuk përcillet me aktivitete tjera e politika tjera publike me stimulim ekonomik e investime në këtë zonë nuk do të ketë sukses”, tha Gashi.

Ndryshe, dy ditë më parë, gjatë vizitës në Beogard, kancelarja gjermane, Angela Merkel, kërkoi nga zyrtarët serbë që të rinisin dialogun me Prishtinën dhe të shuajnë strukturat paralele serbe në Kosovë.

Këto u vunë si parakusht që Serbia të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE.
XS
SM
MD
LG