Ndërlidhjet

Tadiq përsërit: S'heqim dorë nga veriu


Presidenti serb, Boris Tadiq, tha se Serbia është e gatshme të rinisë dialogun me Prishtinën, porse "për të është e papranueshme heqja e institucioneve serbe në veri të Kosovës, si kusht për marrjen e statusit të kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian".

Tadiq i bëri këto komente në Pragë, pas takimit me homologun çek, Vaclav Klaus. Presidenti serb vuri në dukje se, derisa ai të jetë në krye të shtetit, Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën.

"Serbia nuk do ta njohë Kosovën sa të jem unë president, por nuk besoj se do ta bëjë as pas kësaj periudhe. Sa i përket eleminimit të institucioneve që ofrojnë shëndetësi, arsim, që punojnë legalisht dhe janë të ligjshme - sepse ato janë zgjedhur në mënyrë demokratike në veri të Kosovës - Serbia nuk mund ta pranojë këtë kusht për marrjen e statusit të kandidatit", tha Tadiq.

Në anën tjetër, presidenti çek, Vaclav Klaus, tha se i kupton ambiciet e Serbisë për t'iu bashkuar sa më shpejt Unionit Evropian. Ai shfaqi dëshirën që me Serbinë të veprohej pa kushte, "njësoj sikur edhe me kandidatet e tjera".
XS
SM
MD
LG