Ndërlidhjet

Këshilli i Tranzicionit kërkon ekstradimin e djemve të Gadafit


Ministria e Jashtme e Algjerisë ka konfirmuar se gruaja dhe tre fëmijë të Muamer Gadafit kanë arritur në Algjer. Kreu i Këshillit Kombëtar të kryengritësve libianë, Mustafa Abdel Xhalil, u ka bërë thirrje autoriteteve algjeriane të bashkëpunojnë me Këshillin, për të dorëzuar bijtë e Gadafit që janë në listën e të kërkuarve.

Muhamed Shamam, zyrtar për media në Këshillin e Tranzicionit, tha se strehimi i Algjerisë për gruan dhe fëmijët e Gadafit përbën “një akt agresioni kundër popullit të Libisë”.

“Ky është një akt agresioni kundër popullit të Libisë dhe dëshirave e aspiratave të tij. Ne do t’i përdorim të gjitha masat ligjore për t’i ekstraduar kriminelët dhe për t’i vënë para drejtësisë. Ne paralajmërojmë të gjithë ata që bëjnë përpjekje të strehojnë Gadafin apo familjen e tij, se do të bëhen armik i popullit libian”, tha Shamam.

Ndërkohë, rebelët kanë thënë se djali i Gadafit, Khamis, është vrarë në përleshjet pranë Tripolit. Ata besojnë se në të njëjtin incident ka humbur jetën edhe shefi i inteligjencës, Abdullah al-Senusi.

Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara thanë se vdekja e Khamisit nuk mund të konfirmohet në mënyrë të pavarur, ndonëse “informacione të ngjashme kanë marrë nga burime të besueshme”.

Organizta Human Rights dyshon se anëtarët e brigadës së Khamisit kanë ekzekutuar të burgosurit, trupat e të cilëve janë gjetur në një magazinë në Tripoli.
XS
SM
MD
LG