Ndërlidhjet

Kosovë: Kuçi premton angazhim për zbardhjen e fatit të të pagjeturve


Në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Pagjetur, zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, u takua me përfaqësuesit e Këshillit Koordinues të Asociacionit të Familjarëve të të Pagjeturve.

Pas këtij takimi, zëvendëskryeministri Kuçi tha se duhet shtuar përkushtimet si individë dhe si Qeveri që të dihet fati i personave të pagjetur.

“Sot është Dita Ndërkombëtare e Personave të Pagjetur dhe Kosova ka arsye që ta shënojë këtë ditë, ka arsye që ta shënojë në mënyrën tjetër këtë ditë, që t’i shtojmë përkushtimet tona edhe si qeveri edhe si individë, por edhe përkushtimin dhe presionin ndërkombëtar mbi Serbinë, që të dihet fati i personave të pagjetur dhe të cilët u mungojnë familjeve të tyre, andaj unë e quaj një dhimbje e pambyllur”, ka thënë Kuçi.

“Poashtu, kemi biseduar për mundësitë që i ka Qeveria e Kosovës dhe kam theksuar në veçanti angazhimet tona për Ligjin për personat e pagjetur, i cili është në leximin e dytë në Kuvendin e Kosovës dhe unë pres që brenda javës të miratohet ky ligj, ku do të ketë status të veçant të organizimit të familjeve të personave të pagjetur”, ka deklaruar ai.

Në anën tjetër, kryetari i Këshillit Koordinues të Asociacionit të Familjarëve te të Pagjeturve, Haki Kosumi, takimin me zëvendëskryeministrin Kuçi e cilësoi si takimin më të rëndësishmin të zhvilluar deri më tash me përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës.

“Ne sot kemi realizuar takimin më të rëndësishëm me përfaqësuesit e institucioneve tona dhe nga premtimet që kemi marrë nga Zëvendëskryeministri, ne kemi marrë në një mënyrë urimin ma të mirë për festën e Bajramit dhe për 30 gushtin. Shpresojmë që premtimet do të realizohen brenda mundësive të cilat i lejon ligji, pasi ne nuk kërkojmë asgjë më tepër jashtë ligjit, por kërkojmë të realizojmë një të drejt elementare tonën, që të dimë për fatin e njerëzve që i kërkojmë tash e 12 vjet”, ka theksuar Kosumi.

Zëvendëskryeministri Kuçi tha se me këshillin organizativ janë pajtuar që fotografitë që gjenden para Kuvendit të Kosovës të largohen nga aty, ku sipas tij Qeveria e Kosovës do të financoj vendosjen e tyre në një vend tjetër në Prishtinë, ku do të dukeshin më mirë dhe për ngritjen e një memoriali për personat e pagjetur.
XS
SM
MD
LG