Ndërlidhjet

EULEKS: Ka përfunduar operacioni në veri


Zyrtarë të EULEKS-it kanë konfirmuar se gjatë operacionit në veri të Kosovës, në lidhje me hetimet e vrasjes së një polici kosovar, janë konfiskuar prova siç janë edhe armët. Aktualisht ekzistojnë gjashtë kallëzime penale për personat që kanë lidhje me vrasjen.

“Janë kryer bastisje në katër shtëpi private dhe me këtë rast janë konfiskuar prova në lidhje me hetimet, përfshirë edhe armë. Ne mund të konfirmojmë se ekzistojnë gjashtë kallëzime për arrestimin e personave, që dyshohet se janë të përfshirë në vrasjen, ndërsa operacione si ky i sotmi, mund të priten edhe në të ardhmen”, tha për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësja e EULEX-it, Irina Gudeleviq.

Ajo tha se EULEX-i kërkon bashkëpunimin e komunitetit lokal për t’i sjellë para drejtësisë kryesit e krimeve të fundit në veri.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, njoftoi se operacioni është kryer, ndërkaq, situata është e qetë, dhe se rrugët janë të kalueshme.

Operacionin në Zupç afër Zubin Potokut në rrugën për në Bërnjak, e ka kryer njësia speciale e EULEX-it me mbështetjen e KFOR-it, ndërsa hetimet për vrasjen e policit kosovar po kryhen nga EULEX-i dhe policia e Kosovës.
XS
SM
MD
LG