Ndërlidhjet

KFOR-i vazhdon mbështetjen për EULEX-in në veri


Misioni i NATO-s në Kosovë u ka bërë thirrje “të gjithë qytetarëve të ndërshëm dhe paqësorë të bashkëpunojnë me hetuesit e EULEX-it dhe ushtarët që interesohen për sigurinë dhe rendin publik”.

Përmes një komunikate për media ky mision ritheksoi mbështetjen për misionarët evropianë lidhur me hetimet që ata po i zhvillojnë për të zbardhur vrasjen e një polici dhe plagosjen e disa të tjerëve gjatë incidenteve të korrikut në veri të Kosovës.

“Tani tre ditë me radhë, KFOR-i është duke përkrahur EULEX-in në hetimet e
krimeve të kryera gjatë javëve të fundit dhe duke kërkuar të dyshuarit që supozohet të jenë të përfshirë në këto aktivitete kriminale, sidomos vrasjen e policit të Policisë së Kosovës, të vrarë më 26 korrik në rajonin e Zubin Potokut”, thuhet në komunikatë.

KFOR-i gjithashtu bëri të ditur se ka zbarkuar njësite përforcuese në Zupç dhe Zubin Potok, në mënyrë që t’iu ofrojë hetuesve dhe policëve të EULEX-it një ambient të qetë dhe të sigurt për të kryer punën e tyre.

“Ushtarët më tej do të mbrojnë popullatën paqësore nga dorasit dhe radikalët, të cilët janë përgjegjës për trazira dhe krimet e kryera. Kërkimi do të vazhdojë derisa personat përgjegjës do të përballen me drejtësinë, në mënyrë që në mbarë Kosovën të sigurohet rendi dhe ligji”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.
XS
SM
MD
LG