Ndërlidhjet

Policia e Kosovës e mori kontrollin e kufirit me Malin e Zi


Policia e Kosovës sot nga KFOR-i e ka marrë përgjegjësinë për sigurinë e kufirit me Malin e Zi.

Ceremonia e pranim-dorëzimit u zhvillua në Pejë, me ç’rast protokolin për kalimin e përgjegjësisë, e kanë nënshkruar komandanti i KFOR-it, Erhard Bühler, shefi i misionit të EULEX-it Xavier de Marnac, ministri i punëve të brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi, dhe ministri i brendshëm i Malit të Zi, Ivan Brajoviq.

Vlerësohet se linja kufitare me Malin e Zi është e gjatë afro 80 kilometra.

Ministri i brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi, vlerësoi se pranim-dorëzimi i sotëm tregon se “Kosova më nuk është e vetmuar, sa i përketë sigurisë”.

“Presim bashkëpunim të mirë me Malin e Zi, siç e kemi pasur edhe deri tash. Këtë bashkëpunim do ta forcojmë nëpërmjet pengimit të kriminalitetit ndërkufitar, dhe veprimeve të tjera kriminale”, tha zoti Rexhepi, dhe shtoi se “pranim-dorëzimi i përgjegjësisë do t’i kontribuoj edhe lirisë më të madhe të lëvizjes së njerëzve dhe mallrave”.
XS
SM
MD
LG