Ndërlidhjet

Italia thekson rëndësinë për zbatimin e marrëveshjeve Prishtinë-Beograd


Ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj dhe homologu i tij italian, Franko Fratini, theksuan rëndësinë që Prishtina e Beogradi të zbatojnë marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut teknik të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, njoftoi ministria e jashtme e Kosovës.

Në një konferencë të përbashkët për media që shefat e diplomacive të të dyja vendeve e mbajtën pas një takimi që zhvilluan të mërkurën në Itali ata thanë se Kosova “nuk guxon të mbetet vendi i vetëm në Evropë që nuk gëzon të drejtën e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe të mallrave”.

“Jemi vendi i vetëm në Evropë që nuk kemi liberalizim të vizave. Jemi vendi i vetëm në Evropë që nuk kemi marrëdhënieve kontraktuale me Bashkimin Evropian. Prandaj, sot kam kërkuar ndihmën e ministrit Fratini dhe të Italisë që të ushtrojnë ndikimin e tyre në BE, në mënyrë që kosovarët të mos mbesin një popull i harruar”, tha Hoxhaj.

Duke folur për situatën e krijuar në veri të Kosovës, Hoxhaj ritheksoi se pa shpërbërjen e strukturave paralele ilegale të Serbisë, nuk mund të ketë paqe dhe stabilitet në rajon.

“Është këndi i vetëm në Evropë, ku tash e 12 vjet nuk ka pas zgjedhje demokratike; është këndi i vetëm në Evropë ku nuk ka pas numërim të popullatës, është këndi i vetëm në Evropë ku nuk ka gjyqësi, është këndi i vetëm në Evropë ku nuk ka sundim të ligjit. Kjo duhet të përfundoj. Serbia duhet t’i shpërbëjë strukturat ilegale dhe të mos të ndalojë integrimin e komunitetit serb në institucionet e Kosovës”, citohet të ketë thënë Hoxhaj.
XS
SM
MD
LG