Ndërlidhjet

Rusi: Medvedev e vizitoi vendin e përplasjes së aeroplanit


Presidenti i Rusisë, Dmitri Medvedev, sot i ka kritikuar kushtet joadekuate të sigurisë së aviacionit në Rusi dhe ka kërkuar hetime gjithëprëfshirëse për rrëzimin e aeroplanit, nga i cili humbën jetën 43 vetë, përfshirë edhe lojtarët e një ekipi shumë të njohur të hokejit në akull në Rusi.

Këto komente ai i bëri gjatë vizitës së vendit ku u përplas aeroplani, afër qytetit Jarosllavl.

Ai vlerësoi se ky rrëzim i aeroplanit paraqet tragjedi për gjithë Rusinë.

- Ky është një shok për gjithë vendin, sikur që është edhe në raste të tjera të katastrofave të këtilla. Por, kjo kishte edhe një pikë shtesë – pasi në aeroplan ishte ekipi që ishte i dashur jo vetëm në Jarosllavl, por edhe në gjithë vendin. Ky ishte njëri nga ekipet më të mira dhe më të sukseshme në vendin tonë. Kjo është humbje e madhe jo vetëm për të gjitha familjet, por për shtetin në tërësi dhe për të gjithë simpatizuesit, tha Dmitri Medvedev.

Në aeroplan gjendeshin lojtarët e klubit të hokejit në akull, Lokomotiva Jarosllavl, që tri herë ishte kampion i Rusisë.

Në mesin e lojtarëve që humbën jetën kishte edhe shtetas të Bjellorusisë, Çekisë, Suedisë, Sllovakisë dhe Kanadasë.

Trupat e pajetë të 43 vetëve janë gjetur.

Dy personat që e mbijetuan këtë përplajse, janë në gjendje kritike shëndetësore.
XS
SM
MD
LG