Ndërlidhjet

WJS: Ora më e mirë e NATO-s


"Wall Street Journal"

Shkruan: Ivo Dalder, ambasador i SHBA-ve në NATO



Shoku dhe tmerri i 11 shtatorit është shkrirë në të gjitha kujtimet tona. Në një aeroplan që fluturonte mbi Atlantik atë ditë, prej Brukselit për në Uashington, piloti i kishte informuar udhëtarët për lajmin e tmerrshëm dhe aeroplani ishte kthyer prapa.

Na kujtohet ndjenja e tmerrshme e njerëzve, se çdokush ka mundur të jetë në aeroplanët e rrëmbyer atë ditë ose në ndërtesat që u sulmuan. Askush nga ne nuk ishte më i sigurt.

Dje ne të gjithë e përkujtuam atë ditë para 10 vjetësh, kur terroristët i shndërruan aeroplanët në armatim për shkatërrim në masë.

Por, ne duhet ta përkujtojmë edhe atë që ndodhi një ditë më vonë. Më 12 shtator 2001, Këshilli Veri- atlantik, trupa qeverisëse e aleancës, e mbajti një mbledhje speciale.

Për të parën herë, prej se NATO-ja ishte themeluar në vitin 1949, ky këshill vendosi njëzëri që të përfshihet Artikulli 5 i Marrëveshjes Veri-atlantike, duke thënë se sulmi i 11 shtatorit, nuk ishte vetëm sulm kundër Shteteve të Bashkuara, por edhe sulm kundër të gjitha shteteve anëtare të NATO-s.

Brenda disa orësh të këtij takimi historik, aeroplanët luftarakë të NATO-s u alarmuan për vendosje në qiellin mbi Amerikë. Ata e patrulluan hapësirën ajrore të madhe të Shteteve të Bashkuara, gjatë pesë muajve të ardhshëm.

Përfshirja e Artikullit 5, ishte moment përcaktues për NATO-n. Deri në atë moment, çdokush vlerësonte se përkushtimi i marrëveshjes parashihte involvimin e Shteteve të Bashkuara, në mbrojtjen e Evropës.

Askush nuk kishte imagjinuar se, për të parën herë, do të përdoret për sjelljen e Evropës në mbrojtje të Shteteve të Bashkuara. Me këtë akt, NATO-ja sinjalizoi ndryshimin fondamental të misionit të vet.

Të gjithë ne tash e pranojmë se siguria në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara ishte e ndërlidhur në mënyrë të pashkëputshme, përtej hapësirave tradicionale të operacioneve të NATO-s.

NATO-ja nuk ka menduar më rajonalisht dhe ka filluar të mendojë globalisht.

Tash, pesë prej gjashtë operacioneve aktuale të NATO-s, janë jashtë territorit të aleancës. Ushtarët e NATO-s po luftojnë në pjesë të ndryshme në Afganistan, ku terroristët e 11 shtatorit u stërvitën dhe i planifikuan sulmet e tmerrshme.

Anijet e NATO-s po marrin pjesë në misionin kundër piraterisë në Oqeanin Indian, forcat e NATO-s po i stërvitin ushtarët irakianë, pjesëtarët e aleancës po e stabilizojnë situatën në Kosovë, dhe ende po i mbrojnë civilët në Libi, kundër mbetjeve të regjimit, që ishte përpjekur ta shtypë lirinë e tyre.

Dhjetë vite pas 11 shtatorit 2001, NATO-ja mbetet aleanca më e fuqishme dhe më e suksesshme ushtarake në histori.

Forca jonë vjen nga vlerat tona të përbashkëta, nga aftësia jonë për t’u adaptuar ndaj kërcënimeve që ndryshojnë, dhe para se gjithash, nga përkushtimi ynë për siguri kolektive.

Më 12 shtator 2001, NATO-ja e bëri të qartë me fjalë dhe vepra se një sulm kundër njërit anëtar, është sulm ndaj të gjithëve.

Për këtë arsye, sot, për 62 vitet e ekzistimit, siç tha presidenti Barak Obama, NATO-ja është një aleancë “që mbetet gurthemel i angazhimit tonë me botën, dhe katalizator për bashkëpunimin global”. (f. b.)
XS
SM
MD
LG