Ndërlidhjet

IHT: Dhjetë arsye për një “PO” evropiane


Ilustrim
Ilustrim
"International Herald Tribune"

Shkruajnë: Marti Ahtisari dhe Havier Solana


Nuk ndodh shpesh që Bashkimi Evropian të ketë mundësinë për të luajtur një rol shumë të rëndësishëm në skenën botërore. Por, kur palestinezët po u mësyjnë Kombeve të Bashkuara me kërkesën për njohjen e shtetit, secila palë synon mbështetjen e Bashkimit Evropian, duke i dhënë më shumë ndikim në procesin për Lindjen e Mesme, madje më shumë se në kohën e miratimit të Deklaratës mbi Parimet për Vetëqeverisjen e Përkohshme në Oslo.

Si kurrë më parë, 27 shtetet anëtare të BE-së po ballafaqohen me sfidën për ta paraqitur veten me një qëndrim të unifikuar. Ekzistojnë dhjetë arsye të forta që këto shtete të bashkohen për një votë “pro” për të mbajtur gjallë paqen në Lindjen e Mesme, duke miratuar qasjen për dy shtete.

Vota vendimtare do të jetë ajo para Asamblesë së Përgjithshme, mbi një rezolutë për të ngritur statusin e palestinezëve nga ai i vëzhguesit në atë të një shteti jo-anëtar. Palestinezët kanë gjasa të marrin shumicën e votave, por ajo që vlen më shumë se rezultati, është formati dhe përbërja e votave.

Qeveria izraelite po lobon fuqishëm për një “jo” dhe Deklarata e Parimeve -e pafuqishme për t’iu përshtatur realitetit në terren - shpreson të tregojë të paktën një forcë tërheqëse politike për shpresën e vazhdueshme ndaj qasjes për ekzistimin e dy shteteve. Evropianët po e gjejnë veten në një pozitë të pazakonshme, duke qenë trofeu kyç në këtë përleshje.

Arsyeja e parë përse 27 anëtarët e BE-së do të duhej të hidhnin votën miratuese për palestinezët, qëndron në faktin se rezoluta e Kombeve të Bashkuara është një përpjekje për të vënë në jetë zgjidhjen përmes dy shteteve.

Kjo zgjidhje është nën sulmin e vazhdueshëm të zgjerimit të vendbanimeve izraelite në territoret e okupuara dhe të besimit të kryeministrit, Benjamin Netanjahu, se konflikti nuk do të duhej të pranohej si “i pazgjidhshëm”. Si rezultat, kjo votë nuk paraqet ndonjë hutim të parëndësishëm, por një rikonfirmim për rëndësinë e procesit të paqes.

Arsyeja e dytë për një “po” evropiane ka të bëjë me investimet e BE-së në zgjidhjen dyshtetërore që po shqyrtohet, përfshirë ndihmën vjetore prej 1 miliardë eurosh për ndërtimin e një shteti funksional palestinez. Një “po” do të ishte një riafirmim për vlerën e projektit.

Arsyeja e tretë për një “po” është thjesht për t’ju përgjigjur pozitivisht arritjeve shtetndërtuese të Mahmud Abasit. Dështimi për të votuar me “po” do të ishte një reagim ndaj kërkesave për shtet-ndërtim, duke refuzuar të njihet ajo ku formalisht kanë arritur.

Arsyeja e katërt ndërlidhet me Pranverën Arabe. Gjithçka tjetër, përveç “po”-së, do t’i nënshtronte evropianët ndaj akuzave për standarde të dyfishta, sikurse nga qeveritë revolucionare, ashtu dhe nga regjimet arabe.

Një “po” hyn gjithashtu në kuadër të interesave dhe vlerave evropiane, në kohën kur po rivendosen marrëdhëniet rajonale. Interesat, përfshirë parandalimin e terrorizmit xhihadist, frenimin e Iranit, furnizimin me energji dhe ruajtjen e tregjeve për eksport, do të dëmtoheshin nga hipokrizia e perceptuar mbi konfliktin izraelito-palestinez.

Pavarësisht shqetësimeve të analistëve se një “po” do të dëmtonte marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, ajo do të mund të ishte edhe në interesin të Shteteve të Bashkuara.

Shtetet e Bashkuara e kanë të pamundur të votojnë me “po” për çështje të brendshme, por po qe se 27-shja evropiane vepron asisoj, do të fuqizohej krahu amerikan në trajtimin e Izraelit. Thënë me fjalët e Uilliam Hejg, marrëdhëniet e shëndetshme trans-atlantike do të ishin më parë të forta, sesa nënshtruese.

Arsyeja e shtatë dhe ajo e tetë shqetësojnë Izraelin. Kundërshtimi i Izraelit ndaj votës, e cila vlerësohet të jetë e njëanshme dhe në kundërshtim me marrëveshjet paraprake, nuk pi ujë dhe nuk paraqet ndonjë arsye që Evropa të mos votojë me “po”.

Edhe pse vota do të rihapte mundësitë për negociata aktualisht të mbyllura për palestinezët, ajo do të ndihmonte në përgjithësi Izraelin. Lëvizjet drejt njohjes së shtetësisë palestineze me kufijtë e vitit 1967, do të përforconin vetë legjitimitetin e ekzistencës së Izraelit.

Pavarësisht nga frika e izraelitëve, kjo nuk do të hapte domosdoshmërisht një rrugë më të lehtë për opsionin rezervë të palestinezëve për t’iu drejtuar Gjykatës Ndërkombëtare për Krime dhe do të mund t’i jepte Evropës një pozitë, nga e cila ajo do të vazhdonte një pajtim të heshtur me palestinezët, që ata të mos i drejtohen juridiksionit të gjykatës në fjalë për një periudhë të caktuar.

Arsyeja e nëntë për një “po” evropiane është se ajo mund të reduktojë gjasat për shpërthimin e dhunës palestineze. Në të vërtetë, një kombinim i dështimit të perceptuar dhe ndikimit të Pranverës Arabe do të mund të ndihmonte një “rezistencë të tretë”.

Të shtypur në mes të Izraelit dhe pamjeve televizive të revoltave, autoriteteve palestineze u nevojitet një shenjë e përparimit nëse u takon atyre të parandalojnë që frustrimi të kalojë në dhunë. Miratimi evropian për shtetësinë e tyre do të ishte një sinjal i fuqishëm publik se përparimi është i mundshëm.

Në fund, një “po” në Kombet e Bashkuara nuk obligon njohjen bilaterale të palestinezëve. Vota është për rritjen e përfaqësimit në Kombet e Bashkuara dhe vetëm individualisht shtetet mund ta njohin Palestinën.

Natyrisht se ekziston edhe një arsye e njëmbëdhjetë për një “po” të unifikuar evropiane. Bota tashmë ka shembuj të mjaftueshëm për paaftësinë e Evropës për të luajtur një rol efektiv në skenën ndërkombëtare.

Optimistët shpresojnë që evropianët, kësaj radhe, do të na befasojnë, duke e bërë veprimin e duhur dhe duke ia siguruar vetes një sukses shumë të nevojshëm diplomatik në këtë proces. (e.p.)
XS
SM
MD
LG