Ndërlidhjet

Netanjahu- pesimist për suksesin e palestinezëve


Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, shprehi bindjen që zyrtarët palestinezë do të dështojnë në Kombet e Bashkuara me rezolutën për njohjen e shtetit palestinez.

Këto komente, Netanjahu i bëri gjatë një takimi të kabinetit në Jerusalem para se, në javën e ardhshme, palestinezët t’i kërkojnë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së njohjen e shtetit palestinez.

Ai tha se vota e Këshillit të Sigurimit mbi shtetësinë palestineze nuk do të ketë sukses, ndërsa theksoi se as ndonjë rezolutë e Asamblesë së Përgjithshme, me të cilën Palestinës do t’i sigurohej statusi i një “shteti” jo-anëtar do të ishte kryesisht i padobishëm.

“Tani ekziston edhe parlamenti i Kombeve të Bashkuara. Ky parlament quhet Asamble e Përgjithshme dhe aty mund të miratohet pothuaj çdolloj rezolute. Atje mund të vendosësh se dielli lind në perëndim, ndërsa perëndon në lindje”, u shpreh kreu i ekzekutivit izraelit.

Presidenti palestinez, Mahmud Abaz, tha se planifikon t’i kërkojë Asamblesë së Përgjithshme anëtarësimin e plotë në Kombet e Bashkuara.

Palestinezët po i kërkojnë OKB-së ta njeh pavarësinë e tyre në Bregun Perëndimor, në Rripin e Gazës dhe në Jerusalemin Lindor-zona këto që ishin pushtuar nga Izraeli gjatë luftës në Lindjen e Mesme më 1967.
XS
SM
MD
LG