Ndërlidhjet

FT: E meta e vërtetë fatale e euros


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
"Financial Times"

Nëse dëshironi të dini se përse euroja ka telashe aq të mëdha harroni, për një moment, borxhin dhe detyrimet e huaja, ndërsa hidhuni një sy valutave. Imazhet në valutën e euros janë ato të ndërtesave imagjinare. Përderisa valutat kombëtare zakonisht paraqesin njerëz dhe vende reale-Xhorxh Uashingtoni në valutën njëdollarëshe, Teatri i Bolshoit në rublën ruse-identiteti evropian është tepër i brishtë për këtë.

Përzgjedhja e një vendi apo heroi që ndërlidhet me një shtet do të kishte qenë tejet i kundërthënshëm. Andaj, autoritetet evropiane kanë përzgjedhur imazhe të paqarta që përfaqësojnë gjithçka dhe asgjë.

Tani, një dekadë pasi euroja kaloi nëpër makinat e shtypjes së parave në kontinent, mungesa e një identiteti të përbashkët është një e metë fatale që mund të rrezikojë rënien e valutës së përbashkët.

Gjatë fundjavës, Tim Gejtner, sekretari i thesarit amerikan, shfaqi një padurim të dukshëm lidhur me mungesën e aftësisë udhëheqëse në Evropë, Por, problemi që po mundon valutën nuk ka të bëjë domosdoshmërish me lidershipin. Është më fundamental se kaq. Fakti që besnikëritë kombëtare janë shumë më të fuqishme se sa besnikëria e përbashkët evropiane nënkupton që udhëheqësit janë të kufizuar në zgjidhjet që mund t’i marrin parasysh.

Në shumicën e shteteve të Bashkimit Evropian, përfshirë Gjermaninë, euroja hyri pa siguruar pëlqimin direkt të votuesve. Pritej që votuesit do të mësoheshin ta duan valutën e tyre të re, kur ata do të shihnin se ajo po i çon drejt një Evrope më të zhvilluar e më të fuqishme. Por tani, kur valuta po përballet me masa të shtrënguara dhe borxhe, kufijtë e solidaritetit të Evropës po bëhen të qartë.

Kur Angela Merkel, kancelarja gjermane shprehet kundër “detyrimeve ndaj euros” (çështjet e borxheve të mbështetura nga të gjitha shtetet që përdorin euron), ajo nuk po tregohet e pa-imagjinatë apo dorështrënguar. Ajo thjesht e di se votuesit gjermanë kurrë nuk do të pranojnë të lajnë borxhet e Evropës Lindore në mënyrë permanente. Votuesit në Finlandë dhe në Holandë janë më të ashpër se sa gjermanët në kundërshtimin e kësaj ideje. Në ndërkohë, zemërimi ndaj evropianëve veriorë të përqendruar në vete që po kërkojnë rritjen e kursimeve, ka goditur vendet si Greqinë, Portugalinë, Spanjën dhe Italinë.

Euroskeptikët, të cilët kundërshtuan formatin e një valute të vetme, patën predikuar ndodhë kjo lloj përmbysje. Argumentet e tyre ende janë të vlefshme për t’u dëgjuar-jo vetëm lidhur me shpjegimin për origjinën e krizës, por edhe si udhërrëfyes për atë që mund të ndodhë në vijim.

Turma pro-evropiane do të vlerësojë se nuk ka përfunduar ende loja. Mirëpo, paramendojini hapat që do të duhej të ndërmerreshin. Së pari, negocimi për një marrëveshje të re evropiane, pastaj ratifikimi i saj nga 27 shtetet anëtare-të gjitha këto në kohën e rritjes së shpejtë të krizës. Harrojeni!

Mirëpo ekziston një mundësi tjetër që mund të funksionojë megjithatë. Banka Qendrore Evropiane do t’i përgjigjej këtij opsioni në mënyrë të përkryer. Sidoqoftë, ekziston një problem- Gjermania është një nga shtetet e rralla ku veprimet bankare të varura nga qendra shkaktojnë pasione të thella politike.

Në rast të një uniteti më të thellë evropian për largimin e “detyrimeve ndaj euros” dhe centralizimin e taksave dhe shpenzimeve nga tryeza e mundësive, mbesin dy opsione. Ose programi aktual i masave të ashpra, i përzier me huatë emergjente, do të funksionojë, ose disa shtete evropiane do të dështojnë dhe do ta braktisin valutën e vetme evropiane.(e.p.)
XS
SM
MD
LG