Ndërlidhjet

FMN-ja e shqetësuar për ekonominë botërore


Fondi Monetar Ndërkombëtar tërhoqi vërejtjen se ekonomia botërore ka hyrë në “një fazë të rrezikshme”, duke përmendur krizën e borxheve në euro-zonë dhe pozitën e brishtë ekonomike të Shteteve të Bashkuara si rreziqet më të mëdha për rritjen e ekonomisë botërore.

Në një raport mbi gjendjen e ekonomisë botërore, FMN-ja vlerësoi se çështjet që ndërlidhen me ekonominë në Shtetet e Bashkuara dhe në euro-zonë mund të ndikojnë në rënien e vendeve në recesion.

Sipas parashikimeve të FMN-së, GDP-ja botërore do të shënojë një “rritje të zbehtë” prej 1.5 për qind deri në vitin 2011.

Në parashikimet në fjalë thuhet se niveli ekonomik botëror do të ulet në katër për qind në vitin 2012 nga pesë për qind sa ishte në vitin 2010 për shkak të “telasheve të mëdha financiare në euro-zonë”.

Raporti i FMN-së gjithashtu shpreh shqetësimin për rigjenerimin e ekonomisë amerikane dhe mundësinë që ajo “të vuajë nga goditje të vazhdueshme”.

Raporti i FMN-së erdhi pas publikimit të një vlerësimi të agjencisë Standard & Poor’s, icili uli vlerësimin për Italinë në kohën e shqetësimeve për gjendjen financiare të vendit.

Drejtori për komunikim në Evropë i S & P, Martin Uin, në një interviste për seksionin rus të Radios Evropa e Lirë, u shpreh:

“Rënia e vlerësimit reflekton pikëpamjen tonë për perspektivën e dobët të rritjes ekonomike të Italisë, për koalicionin e brishtë qeverisës dhe reflekton edhe dallimet e politikave brenda parlamentit, i cili sipas të gjitha gjasave, do të vazhdojë të kufizojë mundësinë e qeverisë për t’ju përgjigjur si duhet ndryshimeve të natyrës makro-ekonomike”, tha Uin.
XS
SM
MD
LG