Ndërlidhjet

SHBA-Turqi, bashkëpunim në luftën anti-terrorizëm


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, ka takuar kryeministrin turk, Rexhep Taip Erdogan, për të diskutuar luftën kundër terrorizmit dhe çështjet rajonale.

Gjatë takimit në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, zyrtarët amerikanë thonë se Obama e ka nxitur Erdoganin të punojë në zbutjen e tensioneve të Turqisë me Izraelin.

Marrëdhëniet e dy aleatëve amerikanë janë tensionuar pas incidentit të 2010-ës, kur izraelitët kanë sulmuar flotën që dërgonte ndihma në Gaza, duke vrarë nëntë aktivistë turq.

Në deklarimin publik për gazetarët, Obama ka dënuar sulmet e së martës në Ankara dhe ka premtuar bashkëpunim më të madh amerikano-turk në luftën kundër terrorizmit.

“Dua të shpreh ngushëllimet e mia më të thella për humbjen e jetëve nga shpërthimi që zuri vend në Ankara. E di se hetimet janë në zhvillim, porse një gjë e tillë na kujton se terrorizmi ekziston në shumë pjesë të botës. Turqia dhe Shtetet e Bashkuara do të jenë partnerë të fortë në parandalimin e tij”, tha Obama.

Nga sulmet e djeshme në Ankara kanë humbur jetën tre persona, ndërsa 15 të tjerë janë plagosur.
XS
SM
MD
LG