Ndërlidhjet

ST: Paqja duhet t’i paraprijë shtetit palestinez


Presidenti palestinez, Mahmud Abas, pas kthimit nga Kombet e Bashkuara, ku ka paraqitur kërkesën për shtetin e Palestinës. Ramallah, 25 shtator 2011.
Presidenti palestinez, Mahmud Abas, pas kthimit nga Kombet e Bashkuara, ku ka paraqitur kërkesën për shtetin e Palestinës. Ramallah, 25 shtator 2011.
"Sunday Times"

Shkruan: Dominik Rab, deputet në Parlamentin britanik.



Votimi për një shtet palestinez në Kombet e Bashkuara rrezikon krijimin e mospajtimeve në të dyja palët e përfshira në konfliktin izraelito-palestinez. Paqja kërkon aftësinë udhëheqëse politike, e jo një mirazh legal.

Samiti në Kemp Dejvid në vitin 2000, tërhoqi në vete një fije të paqes. Me kujtohet kur qëndroja ulur në një klasë në Universitetin e Birzeit në Bregun Perëndimor, dy vjet më parë, kur një akademik vendas i parashtroi klasës palestineze pyetjen se nëse do ta preferonin si zgjidhje futjen e Izraelit nën det, po qe se do të kishin një mundësi të tillë. Në mesin e duarve të ngritura, nuk kishte asnjë që e kundërshtonte këtë. Pas kësaj nuk u habita me dështimin në Kemp Dajvid.

Derisa liderët në të dyja anët flisnin për paqe, palestinezët e zakonshëm nuk mund të bindeshin aq lehtë më një gjë të tillë. Shumë nga ta besonin se marrëveshja e Oslos mund të prodhonte vetëm për momentin një shtet palestinez, e jo një proces që do të shkonte në drejtim të themelimit të vërtetë të tij.

Shumë pak njerëz i llogaritnin kompromiset e fuqishme që do t’i kërkonte ky proces. Studentët bënin shaka se Jaser Arafat, i cili cilësohej të ishte i korruptuar dhe peng i forcave të jashtme, ishte i angazhuar nga shërbimi sekret izraelit - Mosad - duke pasqyruar kështu ndarjen në mes të presidentit dhe popullit.

Mësimi që nxora nga kjo ishte se paqja varet nga falsifikimi i supozimeve të përbashkëta rreth zgjidhjes përmes dy shteteve.

Eliksiri i një zgjidhjeje përmes dy shteteve nuk ka të bëjë me garën e kërkesave për një pajtim racional, por me pranimin e pamundësisë së tij, ndërsa liderët duhet të heqin dorë prej kompromiseve të kërkuara nga popujt e tyre.

Arafat ishte i njohur lidhur me bisedimet për paqe në fushën ndërkombëtare, në kohën kur në vendin e vet përballej me një rezistencë të ashpër e të pavlerë.

Në ndërkohë, Izraeli duket edhe më i izoluar. Pas Luftës së Dytë Botërore, ky shtet mbajti një nivel të lartë në opinionin publik: një demokraci e guximshme, e cila pranoi rezolutën për ndarje të vitit 1947 të Kombeve të Bashkuara dhe fitoi tri luftëra ndaj fqinjëve të paepur.

Opinioni ndryshoi në vitin 1988, kur Organizata Çlirimtare Palestineze njohu Izraelin dhe shfuqizoi betimin e saj për ta fshirë këtë komb nga harta.

Pavarësisht tërë kryelartësisë, palestinezët u braktisën nga fqinjët arabë pas luftës së parë arabo-izraelite në vitin 1948. Në vend të strehimit të refugjatëve që po iknin nga Izraeli, regjimet arabe i shndërruan kampet e varfra të refugjatëve në pengje të diplomacisë.

Më vonë, ndërtimi i vendbanimeve izraelite dëmtoi perspektivën për një shtet palestinez.

Që nga shpërthimi i rezistencës së parë arabe më 1987, numri i të vdekurve goditi palestinezët në mënyrë disproporcionale.

Pavarësisht nga provokimet e Hamasit e të elementeve të Organizatës Çlirimtare Palestineze dhe ndryshimeve të vazhdueshme në luftën kundër terroristëve, që fshiheshin prapa civilëve, mbështetja ndërkombëtare për Izraelin u ul, ndërsa vuajtjet e civilëve palestinezë po rriteshin.

Sot, perspektiva për paqe duket e ftohtë. Izraeli ka një qeveri të krahut të djathtë, të udhëhequr nga partia Likud. Kjo nuk përbën një pengesë për paqe. Likudi i Menaqem Beginit arriti paqen me Egjiptin në vitin 1979.

Mirëpo, qeveria e Benjamin Netanjahut duket të jetë më e dobët, e varur nga partia e vijës së ashpër - Yisrael Beteinu - dhe e përcjellë nga protesta sociale në vend.

Lidershipi palestinez, ndërkaq, është i ndarë. Lidershipi Fatah në Bregun Perëndimor, i udhëhequr nga Mahmud Abas, është i matur, por i dobët, përderisa Hamasi që kontrollon Rripin e Gazës, është ende i prirë për shkatërrimin e Izraelit.

Qeveria e unitetit, e cila u formua së fundmi, i mundësoi Izraelit të largohet nga tryeza e bisedimeve, duke i bërë thirrje Autoritetit Palestinez të zgjedhë në mes të paqes me Izraelin dhe asaj me Hamasin.

Demagogjia në Kombet e Bashkuara nuk do t’i ndryshojë këto dobësi.
Këtë nuk do të mund ta bëjë as presidenti amerikan, Barak Obama, i cili është i gatshëm të nxisë paqen në kohën kur po përgatitet për rizgjedhjen si president në vitin e ardhshëm, ndërsa po përballet me kritika rreth menaxhimit të problemeve ekonomike në vendin e tij.

Sa i takon Britanisë, qeveritë e këtij vendi kanë bërë dallim në mes të njohjes së shteteve dhe njohjes së qeverive. Njohja e qeverisë është domosdo një pyetje politike, siç është rasti i Këshilli Kombëtar Tranzicional i Libisë, ku shtrohet pyetja: a duam të kemi punë me këtë regjim?

Njohja e shteteve është një pyetje e ligjit ndërkombëtar, bazuar në faktet objektive: a ekziston një qeveri sovrane me një autoritet efiçient mbi popullin brenda një territori të caktuar?

Nëse Autoriteti Palestinez është sovran në çfarëdo aspekti kuptimplotë, ai përballet me kundërshtimin e Hamasit dhe me mungesën e fuqisë mbi disa pjesë të territorit në vendbanimet izraelite.

Rezoluta e Kombeve të Bashkuara mund të kalojë, por nuk mund ta ndryshojë realitetin dhe rrezikun e vënies së një precedenti destabilizues që nga Republika Serbe në Bosnjë e deri te Tajvani.

Në të njëjtën kohë, nëse Palestina pranohet si shtet, Autoriteti Palestinez do të merrte përsipër më shumë përgjegjësi për parandalimin e sulmeve terroriste brenda territorit të tij - një përgjegjësi të cilën ky autoritet vazhdon të mos jetë në gjendje ta ushtrojë. (e.p.)
XS
SM
MD
LG