Ndërlidhjet

Shtyhen bisedimet?!


Kreu i delegacionit serb në bisedimet me Kosovën, Borisllav Stefanoviq, ka thënë se dialogu me Prishtinën do të shtyhet, derisa “Serbia, në bisedimet me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, nuk arrin rezultate konkrete, sa i përket krizës në veri”.

Stefanoviq ka thënë se fillimisht do të bisedohet me përfaqësuesin e BE-së, Robert Kuper, dhe atë të SHBA-së, Filip Riker, rreth situatës në Jarinë dhe Bërnjak.

Sipas tij, “është absolutisht e pamundur të bisedohet për telekomunikacionin, energjinë elektrike dhe bashkëpunimin rajonal”, derisa, siç ka thënë ai, “të qëllohet në qytetarët e paarmatosur të veriut”.

“Natyrisht se me Prishtinën nuk do të bisedojmë derisa nuk i arrijmë disa modalitete. Prishtina as që do të bisedojë për Jarinën dhe Bërnjakun”, transmetojnë agjencitë serbe deklaratën e Stefanoviqit.

“Bisedimet me Prishtinën do të vazhdojnë nëse kemi rezultate konkrete rreth Jarinës dhe Bërnjakut. Është mirë që komuniteti ndërkombëtar e ka parë tani këtë çështje si prioritet”, ka thënë kryenegociatori serb.

Sipas tij, “aksioni i njëanshëm i Prishtinës, duke çuar ‘të ashtuquajturit doganierë kosovarë’ në veri, është shkaktar i dhunës”.

“Ajo çfarë ka ndodhur në Jarinë, jo vetëm që e minon dialogun, por edhe stabilitetin e brishtë në Kosovë”, ka thënë Stefanoviq.
XS
SM
MD
LG