Ndërlidhjet

WSJ: Përgatitja për paqe në Turqi


Flamuri i Turqisë
Flamuri i Turqisë
"Wall Street Journal"

Aktiviteti i Turqisë përgjatë Pranverës Arabe dhe sfidat karshi Izraelit kanë vënë Ankaranë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare.

Mirëpo, vet shteti turk aktualisht po ballafaqohet me disa probleme të brendshme. Që nga muaji qershor, të paktën 150 njerëz janë vrarë, ndërsa qindra të tjerë janë plagosur gjatë eskalimit të rebelimit të gjatë të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit.

Eskalimi është edhe më i rëndësishëm duke pasur parasysh që turqit dhe kurdët kanë përafruar, si kurrë më parë, brenda dy viteve të kaluara, qëndrimet për paqe në mes vete.

Por, kryeministri turk, Rexhap Taip Erdogan, ishte ngurrues për të shpenzuar një pjesë të madhe të kapitalit të tij politik lidhur me zgjidhjen e një pjese të problemeve ekzistuese të komunitetit 15 për qindësh kurd.

Ai lejoi forcimin e ligjeve anti-terror, të cilat kishin vënë para grilave diku tre mijë kurdë, jo për shkak të akteve të dhunshme, por për shkak të qëndrimeve të tyre që u ngjasonin atyre të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit.

Erdogan nuk ka relaksuar ndalimin e mësimit të gjuhës kurde në shkollat fillore dhe të mesme.

Kryeministri turk ka marrë një qëndrim më nacionalist që nga fushata zgjedhore për zgjedhjet e qershorit, por ai ka nevojë të gjejë një rrugë të kthimit në qëndrimin për negociatat pragmatike, një qëndrim ky, të cilin subjekti i tij politik, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim, e kishte marrë kur pat ardhur në pushtet në vitin 2001.

Partia e Punëtorëve të Kurdistanit ka qenë dukshëm shkaktari kryesor në eskalimin e dhunës së kohëve të fundit - ndoshta duke synuar që të impresionojë autoritetet turke me aftësinë e saj përçarëse, e ndoshta duke tentuar të polarizojë mendimin për të rifituar ndikimin mbi turqit kurdë.

Por, derdhja e gjakut nuk po ndihmon.

Kërkesat e shoqërisë civile kurde për t’i dhënë fund luftimeve dëshmojnë se pjesa dërrmuese e kurdëve nuk duan të ndahen nga Turqia, por duan ta vazhdojnë jetën dhe të zhvillohen në atë vend.

79 rastet e vdekjes së forcave turke të sigurisë që nga muaji qershor lë të nënkuptojë që çdo përpjekje e qeverisë për një zgjidhje ushtarake do të jetë e shtrenjtë dhe e pafrytshme.

Autoritetet turke nuk guxojnë të bien pre e Partisë së Punëtorëve Kurdë duke u shpërqendruar nga krijimi i një Kushtetute e një sistem të ri ligjor, sikurse nga krijimi i një programi arsimor të pastruar nga diskriminimi etnik.

Ata do të duhej gjithashtu të ndryshonin ligje, me të cilat janë burgosur mijëra kurdë për shkak të asaj që mendojnë dhe për shkak të gjërave që duan t’i bëjnë.

Për ti mundësuar të gjitha këto, Erdogan duhet të përdorë mbështetjen e tij të brendshme që t’i bindë kurdët për sinqeritetin e tij dhe t’u mbushë turqve mendjen se të drejtat e barabarta për të gjitha etnitë do ta forcojnë Turqinë e jo ta shkatërrojnë atë.

Një përpjekje e tillë do të kërkojë kohë dhe konsistencë dhe do të mund t’i kushtojë shtrenjtë gjatë zgjedhjeve. Por, nuk mund të ketë arritje më të madhe se sa t’i jepet fund një konflikti nga i cili janë vrarë 30 mijë njerëz, dhe i cili, sipas vlerësimeve të vet Erdoganit, ka kushtuar 300 miliardë dollarë që nga viti 1984.

Krijimi i paqes së qëndrueshme me kurdët do të kërkonte me të vërtetë një “model turk” të demokracisë.(e.p.)
XS
SM
MD
LG