Ndërlidhjet

Opozita kritikon qeverinë për veriun


Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje gjatë seancës së sotme në Kuvendin e Kosovës kanë kritikuar ekzekutivin e vendit, duke thënë se "ky institucion është duke e vonuar vënien e rendit dhe ligjshmërisë në veri Kosovës".

Deputetet opozitarë kanë thënë se kryeministri Hashim Thaçi, s'është duke bërë asgjë tjetër për veriun, përveç se jep "deklarata boshe në media".

Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Arben Gashi tha se “operacioni i 25 korrikut ishte i dështuar plotësisht, pasi që sipas tij ishte pa plan".

“Veriu mbetet i bllokuar, pikat e bllokuara, trafiku i bllokuar, rrugët kriminale të lira, kurse Qeveria sillet sikur atje po valëvit flamuri shtetëror i Kosovës”, ka deklaruar Gashi.

Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri tha se situata në veri të vendit vetëm sa po përkeqësohet.

Ai konsideron se tashmë veç janë shtuar barrikadat, ndërkohë që sipas tij qeveria çdo ditë po i bind qytetarët se po shënon suksese.

“Situata në veri të Kosovës nuk është as e mirë, e as nuk është duke u përmirësuar. Prej kohës së fundit shumë gjëra për të keq kanë ndodhur atje. Janë sulmuar qytetarët e paktë që kanë mbetur atje. Në tërë këtë situatë Qeveria çdo ditë del në TV dhe tenton t'i bindë qytetarët se po shënon suksese”, ka thënë Ymeri.

Nga ana tjetër, shefi i grupit parlamentar të PDK-së Adem Grabovci, theksoi se veprimet te cilat i ka ndërmarrë ekzekutiv i vendit në veri janë veprime historike.

“Qeveria ka marrë një vendim më 25 korrik, që lirisht mund të themi se është vendim historik dhe që ka krijuar një realitet të ri në veri të vendit. Ka arritur suksesshëm në bashkëpunim me KFOR-in dhe faktorët tjerë që të sigurojë tërësinë territoriale të vendit”, është shprehur Grabovci.
XS
SM
MD
LG