Ndërlidhjet

EULEX: Vendoset masa e paraburgimit për të arrestuarit


Pas operacionit policor të ditës së djeshme të zhvilluar nga Njësia e EULEX-it për Hetimin e Krimit të Organizuar, gjykatësi i EULEX-it i procedurës paraprake në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë vendosi masën e paraburgimit prej një muaji për dy persona dhe një muaj arrest shtëpiak për personin e tretë, të cilët u arrestuan dje.

Lajmi bëhet i ditur nga vetë misioni EULEX, në komunikatën e të cilit thuhet se pas intervistimit, “dy persona të tjerë u liruan nga ndalimi policor, derisa personi i tretë vazhdon të mbahet në ndalim”.

“Arrestimi i gjashtë personave dhe bastisjet në 14 lokacione janë pjesë e hetimeve që po vazhdojnë lidhur me dyshimet për korrupsion dhe keqpërdorime në prokurim ku përfshihet Policia e Kosovës dhe bizneset që e furnizojnë policinë me armë dhe municione. Dyshohet se prej vitit 2008, buxheti i Policisë së Kosovës është dëmtuar me miliona euro për shkak të veprimtarive të personave të arrestuar”, thuhet në komunikatë.

Operacioni i djeshëm, thuhet më tej, “e kishte mbështetjen e plotë të Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Policisë së Kosovës, bashkëpunimi i ngushtë i të cilëve ishte tejet i çmuar dhe mbetet pjesë qenësore e angazhimit për luftimin e këtyre veprave”.
XS
SM
MD
LG